Ky është Kujtim Rexhepi, pronari i magazinave të drogës në Derven të Krujës, ku u gjetën 1,3 ton kanabis. 48 -vjeçari ka pranuar para gjykatës se ai është organizatori i veprimtarisë kriminale, duke përjashtuar nga përgjegjësia të gjithë të arrestuarit e tjerë.

Sipas Rexhepit, magazina, lënda narkotike dhe armët që u gjetën ishin të tijat dhe ai sillte kanabisin për ta përpunuar. Ai i ka kërkuar gjykatës që tre anëtarët e fisit Gjokeaj, të arrestuar bashkë më të në një lokal në afërsi të magazinës, të lirohen. Sipas tij, ata nuk kanë lidhje më këtë histori dhe faji i vetëm i tyre është që kanë qenë në lokal me të.

Kujtim Rexhepi ka kërkuar edhe lirimin e punëtorëve të prangosur. Ai i ka cilësuar ata si hallexhinj që punonin për 15 mijë lekë të vjetra në magazinën e tij të drogës.

Pasi dha dëshminë e tij, 48 – vjeçari u la në burg.

Gjithashtu në qeli do qëndrojnë edhe Gazmir, Gjovalin dhe Aurel Gjokeja, Nilson Gega dhe Erald Bardhoku. Në sallë pati debate mes avokatit të Kujtim Rexhepit dhe prokurorit të çështjes.

Avokati pretendoi se veprimet hetimore të prokurorisë janë nul, pasi ka një mospërputhje me disa procesverbale. Pavarësisht kësaj, togat e zeza i cilësuan si të ligjshme arrestimet dhe u bindën nga provat e sjella nga akuza.

Tv Klan