Manifestime masive anti-korrupsion janë zhvilluar ditët e fundit në Sllovaki. Mijëra njerëz morrën pjesë në manifestimin e zhvilluar në Bratisllavë, ku kërkohet dorëheqja e Ministrit të Brendshëm, i përfshirë në afera korruptive me një biznesmen nën hetim.

Protestat e fillimvitit në Rumani vijojnë të frymëzojnë manifestime masive kundër korrupsionit në vendet e Europës Lindore. Mijëra njerëz manifestuan në kryeqytetin sllovak Bratisllavë, ku u hodhën parrulla kundër qeverisë së kryeministrit Robert Fico.

Kërkesa kryesore e manifestuesve ishte dorëheqja e ministrit të brendshëm Robert Kalinak, i konsideruar si një prej zyrtarëve më të besuar të Kryeministrit. Manifestuesit akuzojnë Ministrin e Brendshëm si të përfshirë në një aferë korruptive, ku nën hetim është manjati sllovak i ndërtimit Ladisllav Basternak.

Ministri Kalinak ka blerë së fundi 17% të aksioneve në një prej kompanive në pronësi të Basternakut, i cili akuzohet për evazion fiskal.

Kërkesës së protestuesve për dorëheqjen e ministrit i është bashkuar edhe presidenti Andrej Kiska, kundërshtar politik i kryeministrit Fico.

Mediat sllovake hedhin dyshime se shumë politikanë të qendrës së majtë janë të lidhur në afera të ndryshme me biznesmenin nën hetim.

Tv Klan