Në një kohë që protesta e opozitës ka hyrën në ditën e 24 të saj, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ngre shqetësimin se çadra e vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka krijuar pengesa në transportin urban.

“Pavarësisht se kemi pasur disa ngërçe si bllokimi në Bulevard, me gjithë vonesat e vogla, linjat na janë përgjigjur dhe trafiku ka vazhduar normalisht. Sigurisht, pasi të hapet Bulevardi, do të kemi akoma më shumë zhdërvjelltësi, sidomos në këtë linjë dhe linjën e Tiranës së Re, të cilat janë dy linjat që e vuajnë më shumë bllokimin. Ne do të rregullojmë ato që kemi në dorë të rregullojmë, kurse ato që nuk i kemi në dorë, shpresoj që arsyeja të triumfojë dhe qyteti të lejohet të jetojë lirshëm”

Këtë deklaratë Veliaj e bëri inspektimit të linjës së re të transportit urban në kryeqytet Farkë-Sauk i Vjetër-Kopshti Zoologjik-ish Stacioni i Trenit.

“Kemi një lajm shumë të mirë për të gjithë banorët e zonës sepse nga një transport primitiv, i nivelit dum-dum, ku njerëzit futeshin si sardele në autobusë, kemi kaluar në një sistem jashtëzakonisht modern, ku njihet aboneja, me një linjë të re e cila fillon në Farkë, kalon në të gjithë zonën e Kopshtit Zoologjik dhe arrin në qendër të Tiranës, për të vazhduar deri te ish Stacioni i Trenit”

Me shërbimin e ri të ofruar nga bashkia e kryeqytetit banorët e kësaj zone mund të udhëtojnë vetëm me një biletë, pa qenë e nevojshme të ndërrojnë autobusë. Kryebashkiaku i Tiranës tha se brenda këtij viti edhe në këtë linjë do të futet në përdorim bileta elektronike./ TV KLAN