Fjalët fyese të presidentit amerikan Donald Trump drejtuar emigrantëve nga Haiti, El Salvadori dhe vendet afrikane kanë provokuar reagime të shumta nga këto të fundit.

Ambasadorët në OKB të vendeve afrikane i bënë thirrje presidentit amerikan të tërhiqet e të kërkojë ndjesë publike për deklaratat e tij raciste dhe ksenofobe. Unioni afrikan në Uashington u shpreh i shokuar për qëndrimin e Trump, duke thënë se administrata e presidentit i ka keqkuptuar vendet afrikane, me të cilat mungon dialogu.

Sipas “The Washington Post”, gjatë një mbledhjeje ku po diskutohej një marrëveshje e re për emigrantët, Trump i ka quajtur këto vende “nevojtore”. “Ç’i kemi gjithë këta njerëz që na vijnë këtu nga vende ‘nevojtore’? Ç’na duhen më shumë haitianë? Ne duhet të marrim emigrantë nga vende si Norvegjia, mësohet të ketë thënë Trump.

Ndonëse në fjalët e Shefit të Shtëpisë së bardhë erdhën si një shembull i mirë, edhe Norvegjia reagoi, duke i thënë faleminderit Trumpit por nuk pranon ftesën e tij.

Trump reagoi përmes Twitterit duke mohuar deklaratat raciste dhe duke akuzuar demokratët për fabrikim  të këtij lajmi të rremë. Në kulmin e skandalit Presidenti amerikan nderoi figurën e Martin Luther King, një rast që nuk u la pa u shfrytëzuar nga gazetarët të cilët e pyetën:

Zoti president a do të kërkoni ndjesë për deklaratën e djeshme? Zoti president a jeni racist?

Jo vetëm politika reagoi për deklaratat e presidentit Trump. Në mediat amerikane ka bërë bujë vendimi i emigrantit shqiptar Gjergj Dollani, i cili në lokalin e tij ofroi kafe falas për haitjanët, salvadorianët, afrikanët madje edhe për norvegjezët.

Tv Klan