Më shumë se 80 persona janë arrestuar në qytetin St. Luis në SHBA natën e tretë të protestave të dhunshme atje, pas shfajësimit të një oficeri të policisë i cili qëlloi për vdekje një njeri me ngjyrë.

Jason Stockley 36 vjeç, u shpall i pafajshëm ditën e premte në lidhje me vrasjen e Anthony Lamar Smith pasi u qëllua nga një patrullë policie pas një ndjekjeje në 2011-n. Gjatë ditës protestat nuk kanë qenë të dhunshme por tensionet janë shtuar gjatë natës. Policia e St Louis deklaroi se mbi oficerët e policisë janë hedhur lëndë kimike dhe gurë por nuk ka të lënduar rëndë.

“Sot e pamë sërish që shumica e protestuesve nuk janë të dhunshëm, por në ditën e tretë rresht të protestave gjërat kanë ecur mirë ditën por janë përshkallëzuar gjatë natës”,

tha kryebashkiakja e St Louis, Lyda Krewson. Protestat filluan të premten menjëherë pas vendimit të gjykatës. Për shkaqe sigurie u anuluan koncertet e grupit “U2” dhe këngëtarit Ed Sheeran që priteshin të mbaheshin në St Louis.

Smith ishte baba i një fëmije dhe priste të martohej, por u vra në 20 dhjetor të 2011-s. Departamenti i policisë së St Louis fillimisht deklaroi se vrasja e tij ishte e justifikueshme. Stockley e la policinë dhe lu largua për në Texas në 2013-n. Por, hetimet vazhduan dhe ai u akuzua vitin e kaluar pasi prokurorët kishin gjetur disa prova të reja të paspecifikuara. Stockley dhe partneri i tij atë natë, thanë se e qëlluan Smith sepse besuan se ai ishte i përfshirë në një shkëmbim droge që po ndodhte jashtë një restoranti. /

tvklan.al