Beteja për parkun e Liqenit tashmë është zhvendosur në prokurori.

Një ditë pas protestës së Partisë Demokratike përpara Bashkisë dhe në Liqenin Artificial, Policia e Tiranës njoftoi se ka ndaluar 2 persona dhe ka shpallur në kërkim 6 të tjerë, me akuzën se kanë kundërshtuar uniformat blu dhe kanë shkatërruar mjetet e një firme private.

Policia thotë se ka referuar në prokurori materialet për ish – Nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo dhe shtetasit Ergys Harkanaj e Suzana Dimushi.

Gjatë paradites së të martës në polici është mbajtur i shoqëruar për disa orë dhe ish – Deputeti i PD -së Ndriçim Babasi, i cili akuzohet për dhunimin e një qytetari, por pas marrjes në pyetje është lënë i lirë.

Më herët, Partia Demokratike dorëzoi në Prokurorinë e Tiranës fakte të reja, që sipas saj, provojnë se për projektin e Bashkisë tek Kodrat e Liqenit nuk ka patur leje ndërtimi. Paralelisht me këtë padi, opozita paralajmëroi një tjetër kallëzim penal në organin e akuzës.

Arben Ristani – Sekretar i Përgjithshëm i PD -së: 

“Partia Demokratike, do të kallëzojë penalisht Policinë e Shtetit, INUK, INUV, Inspektoriatin e Mjedisit dhe firmën Grand, të cilët, në shkelje të hapur të ligjit, kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë mundësuar veprën penale të ndërtimit pa leje e kryer në bashkpunim, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

Pavarësisht protestave, te Kodrat e Liqenit kanë rinisur punimet. Nga një vëzhgim i bërë aty shihet se punonjësit e firmës së ndërtimit kanë rrethuar sërish zonën e punimeve për të vijuar punën në ndërtimin e këndit të lojërave.

Tv Klan