Ata janë të vendosur që të mos lëvizin nga vendi, deri ditën që do të shohin vendimin e qeverisë i cili do t’i dëmshpërblejë për banesat e tyre dhe do të ndalojë kërkimin e naftës në tokat e tyre. Kjo është dita e tretë që protestuesit e fshatit Zharrëz rrinë në qiell të hapur përpara ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Arsyeja? Kompania Bankers Petrolium, për të cilën thonë me zë të lartë se u ka shkatërruar çdo gjë.

Renato është vetëm 25 vjeç, por rruga e gjatë në këmbë nga Fieri në Tiranë dhe qëndrimi në të ftohtë, ka përkeqësuar gjendjen shëndetësore të tij. Pavarësisht kësaj, ai thotë se nuk do të lëvizë nga protesta që po bën fshati i tij derisa të shohë hapa konkrete.

Nga ana e saj Ministria e Energjise njoftoi se drafti i hartuar nga tre ministri  për “Marrjen e masave, evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e tokës në Zharrëz është gati dhe pritet të miratohet në qeveri ditën e mërkurë. Po ashtu mësohet se qeveria shqiptare dhe Bankers Petroleum kanë përzgjedhur me konsensus ekspertin që do të vlerësojë shkakun e shpërthimeve. Ai do të jetë një ekspert nga Instituti Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanikës / TV KLAN