dhunaKëto foto, sipas pjesëmarrësve në protestën e zhvilluar një ditë më parë pranë ambasadës greke, dëshmojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre nga policia.  Të rinjtë që protestuan kundër vrasjes së Kudret Kumes nga torturat e gardianëve në burgun grek të Nigritas,thonë se ndaj tyre është përdorur edhe elektroshok.

 Edhe një gazetar i gazetës Panorama raportoi dje se ishte dhunuar nga forcat e rendit në komisariatin numër 2 teksa po fotografonte një furgon policie brenda të cilit disa policë po godisnin një protestues.

Avokati Altin Goxhaj, që ka marrë në mbrojtje ligjore protestuesit e dhunuar thotë se do të padisë penalisht Ministrin e Brendshëm dhe drejtues të policisë.

 Protestuesit mohojnë që në këtë tubim të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale, të kenë provokuar forcat e rendit apo të kenë nxitur përdorimin e dhunës. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thotë se nga ana e protestuesve pati kundërshtime e mosbindje, ndërsa njofton se edhe veprimet e punonjësve të policisë do të analizohen në mënyrë të hollësishme dhe do të ketë masa disiplinore, në rast se konstatohen shkelje të procedurave standarde.

Tv Klan