Protestuesit e mbledhur në çadrat para kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit kanë përkujtuar të hënën 20 Shkurtin, ditën e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha.

Në mbrëmjen artistike dhjetëra të rinj lexuan poezi e disa protagonistë rrëfyen për ta orët e vështira të 26 vite më parë, por edhe solidaritetin e qytetarëve të Tiranës e gjithë Shqipërisë me grevën e studentëve në shkurt 1991.

Pjesë e kësaj mbrëmje ishin edhe poezi të njohura të Visar Zhitit e Havzi Nelës që u interpretuan nga të rinjtë pjesëmarrës në protestën e qytetarëve për zgjedhje të lira e të ndershme.

Roland Bejko, ish-student i Dhjetorit dhe pjesëmarrës në grevën e urisë, ndau me të rinjtë eksperiencën e tij mbi lëvizjen për të rrëzuar diktaturën komuniste. Ai tregoi edhe dokumentet e rralla të organizimit të studentëve për grevën e urisë dhe solidaritetin e mjaft qytetarëve me ta.

Në mbrëmjen artistike u shfaq edhe një dokumentar mbi rrëzimin e bustit të ish diktatorit Hoxha, i cili përfundonte me mesazhin: Misioni vazhdon./tvklan.al