Me kërkesën për zgjedhje të reja, qindra mbështetës të Nikola Gruevskit protestuan të martën në mbrëmje në rrugët e Shkupit.

Me slogane kundër Bashkimit Evropian, demonstruesit u ndalën para Kuvendit të Maqedonisë, kundër përfshirjes së partive shqiptare në koalicionin qeverisës në Maqedoni. Refuzimi i presidentit për t’u takuar me politikanin suedez, Carl Bildt u përshëndet nga protestuesit pro Gruevskit.

Mosgjetja e një zgjidhjeje dhe dështimi për krijimin e një qeverie po rrit dukshëm tensionin nacionalist. Më shumë se 20 organizata të ekstremit të djathtë u mblodhën në Shkup në fillim të Prillit, duke nënshkruar një deklaratë të përbashkët për

“bashkëpunimin e të gjitha shoqatave patriotike maqedonase nën ombrellën e një fronti kombëtar të Maqedonisë që do të mbrojë interesat vitale kombëtare të vendit”.

Sakaq, parlamenti i Maqedonisë vijon sot seancën e radhës, ku debatohet për zgjedhje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, pas maratonës së një dite më parë, ku pati vërejtje proçeduriale, replika dhe kundër – replika.

Deputetët e VMRO – kërkojnë që LSDM-ja të tërhiqet nga Marrëveshja e partive shqiptare, e cila mes të tjerave parashikon zyrtarizimin e Gjuhës Shqipe.

Tv Klan