Pas publikimit të videos në emisionin “Opinion”, të përplasjes së mjetit të numrit dy të policisë në Elbasan nga një makinë e blinduar, drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka thirrur në takim dy prokurorët e çështjes, si dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit.

Në takim janë analizuar veprimet e deritanishme hetimore dhe masat e tjera të nevojshme. Asnjë detaj tjetër nuk është mësuar nga ky takim tejet hermetik.

Por publikimi i videos, se çfarë ndodhi mbrëmjen e 18 Shtatorit, i ka dhënë një tjetër kthesë hetimeve. Krimet e rënda mendojnë ta delegojnë dosjen në Prokurorinë e Elbasanit, duke rrëzuar akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të mbetur në tentativë.

Megjithatë, takimi i kësaj të enjteje në prokurori për masa të tjera të nevojshme që mund t’i duhen hetimeve, konfirmon se grupi hetimor ka mbledhur prova të reja që identifikojnë personin që ishte në mjetin Audi të blinduar.

Një verifikim po kryhet edhe për oficerët e policisë, të cilët kanë qenë në aksion natën e ngjarjes, pasi nuk kanë reaguar kur mjeti i blinduar ka hyrë në treg.

Prokuroria ka të arrestuar për këtë ngjarje tre persona. Ledio Zabeli dhe Valmir Dedja ndodhen në burg , ndërsa Kelmend Xhaferri në arrest shtëpie.  

Tv Klan