akuzat e PS per bashenPërfaqësuesi i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashën, për lejet e dhëna tek diga e Liqenit Artificial, për ndërtimin e 5 kullave 17 katëshe.

Një ditë më parë, Bushati, denoncoi në emër të Partisë Socialiste dhënien e lejeve pikërisht në zonën poshtë digës së liqenit, tek kompleksi i Pishinave, ku Basha kishte akuzuar Edi Ramën si mister 20 përqindshi.

Kjo akuzë dhe premtimi i Bashës gjatë fushatës për Tiranën se në këtë zonë nuk do të lejonte ndërtimin, ka shërbyer që Partia Socialiste t’ia kthejë kusurin, tashmë duke e akuzuar jo për projekte, por për leje të firmosura me 1 gusht nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, për ndërtimin e 5 kullave, nga 1 deri në 17 kate, me 3 kate nëntokë.

Bashkia reagoi pas denoncimit të ditës së djeshme duke thënë se ky ishte një sulm në vazhdën e bllokimeve të punëve publike që po i bën Rama, por nuk u përgjigj për akuzat për dhënien e lejeve të ndërtimit.

Sot përfaqesuesi i Partise Socialiste tha se heshtja e Bashës ngre dyshime se ai ka marrë rryshfet në këmbim të lejeve të dhëna.

Bashkia reagoi pas këtyre akuzave duke thënë se ky është mashtrimi i radhës i Edi Ramës. Sipas saj, me projektin zhvillimor të kësaj zone, jo vetëm që nuk cënohet asnjë centimetër hapësirë publike, por me anë të formulës së menaxhimit të pronës, hapësirës publike i shtohen 2 mijë metra katrorë në zonën e pishinave e cila po ashtu ruhet e paprekur.

Bashkia thotë se i paprekur ruhet edhe kompleksi i fushave sportive dhe se projekti kufizohet vetëm brenda pronës private dhe përbën një volum 4 herë më të vogël se projekti i babëzisë së Edi Ramës dhe sekserëve të tij, pasi ai shfrytëzon vetëm 40 % të truallit privat dhe në përfundim të tij, qyteti do të përfitojë edhe 20 mijë metra katrorë hapësirë publike dhe gjelbërim.

Tv Klan