Partia Socialiste Durrës dënon ashpër vendosjen e eksplozivit në zyrën elektorale të LSI në këtë qytet dhe kërkon nga organet përkatëse hetim dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

“Në radhë të parë dënojmë ngjarjen e sotme dhe distancohemi nga ky akt i turpshëm vandal. Kërkojmë nga organet ligjzbatuese hetimin dhe zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes, e cila nuk i shërben aspak zhvillimit normal të procesit zgjedhor”.

Në një reagim të postuar në rrjetet sociale, PS e Durrësit shpreh keqardhje për akuzat e LSI, të cilat i konsideron të nxituara.

Për PS, kjo sjellje ngre dyshimet se bëhet fjalë për një inskenim të vetë LSI, për qëllime elektorale.

“Shprehim keqardhje që LSI, ende pa u kryer asnjë hetim nga organet ligjzbatuese nxiton të akuzojë. Nxitimi për të akuzuar, më së shumti, ngre dyshimet për një ngjarje të inskenuar nga vetë LSI, me synim përdorjen e saj për qellimet elektorale të ditës. Asnjë tentativë për tensionimin e situatës nuk do mund të dalë me sukses pasi fushata në tërësi ka qenë e qetë dhe pa probleme. Qytetarët e Durrësit e refuzojnë dhunën dhe tensionin pasi duan të shkojnë të qetë drejt kutive të votimit për të shprehur me votë vullnetin e tyre të lirë”

./tvklan.al