Në ditën kur duhet të zyrtarizonin rinovimin e marrëveshjes së tyre, duke u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si koalicionin për zgjedhjet e 18 qershorit, 2 partitë më të mëdha të së majtës, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim surprizojnë duke i kërkuar këtij institucioni që pikërisht në afatin e fundit që përcakton ligji të shtyjë edhe për disa ditë të tjera këtë afat.

Përmes një letre të firmosur nga kryetarët e dy grupeve parlamentare Gramoz Ruçi dhe Luan Rama, këto dy forca argumentojnë se koha që kërkojnë është në funksionin të përpjekjes për të vijuar për të negociuar me opozitën në mënyrë që ajo të futet në zgjedhje.

Ruçi e Rama kujdesen që t’ju bëhet e qartë anëtarëve të zgjedhur te KQZ-së që nëse ndërmarrin një hap të tillë nuk do të kishte asnjë penalitet për ta.

Por, pavarësisht sigurisë që përpiqen të japin Ruçi e Rama, anëtari i KQZ-së Klement Zguri e deklaron hapur votën e tij kundër një vendimmarrjeje të tillë nga ana e institucionit qe ai përfaqëson.

Argumentet kundër Zguri i ka si në formën ashtu dhe përmbajtjen e kërkesës së partive të majta.

Tv Klan