Kryesia e PS-së ka marrë vendim që të kërkojë shkarkimin e ish-deputetit Koço Kokëdhima nga posti i sekretarit për Reformën Strukturore dhe Emigracionin në PS.

Burime nga Kryesia e PS-së thanë se kërkesa do t’i propozohet Asamblesë së Socialistëve që mblidhet më 23 Dhjetor. Aty do të votohet edhe shkarkimi i tij ndër propozimet e tjera.

Kokëdhima ka mbajtur edhe postin e koordinatorit, por është shkarkuar nga ky post kohë më parë. Tashmë, ish-deputeti mbetet vetëm anëtar i Asamblesë, në të cilën është zgjedhur me votim.

Për të zëvendësuar Kokëdhimën në postin e sekretarit të Reformës Strukturore është propozuar Stefan Çipa, zv/ministër i Brendshëm dhe ish-kryetar i Bashkisë së Sarandës./ TV KLAN