Partia Socialiste e degës së Tiranës ka akuzuar ish-kreun e LSI Ilir Meta se po tensionon situatën në Vorë duke angazhuar persona me precedent kriminalë.

Përmes një njoftimi, PS e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve.

“Partia Socialiste Tiranë shpreh keqardhjen për tensionimin që Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, ka nxitur e po nxit në Vorë nga dje dhe sot në vazhdim.

Ilir Meta ka angazhuar një rrjet njerëzish me precedentë penalë, për të provokuar e penguar votuesit e zonës.

Janë të njëjtët që e kthyen Vorën në një vendgrumbullim mercenarësh ordinerë të Ilir Metës në zgjedhjet e kaluara vendore.

Partia Socialiste Tiranë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Vorës me të drejtë vote, të marrin pjesë masivisht në votim dhe të mbajnë mirë parasysh sot shprehjen e urtë të popullit, “Qeni që leh nuk të ha!”.

Mos bini pre e provokimeve që organizon i dëshpëruari Ilir Meta dhe konsiderojini kërcënimet e tij, shenja të çekuilibrimit të një politikani që nuk po kupton dot se si do jetojë pa pushtet! Ruani qetësinë!”

, thuhet në njoftimin e PS Tiranë./

tvklan.al