Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste i kanë shtuar akuzat, teksa fushata është në mbyllje.

LSI ka denoncuar disa persona se po blejnë vota në Vorë dhe njësitë e tjera të kësaj bashkie dhe mbështetën nga ish – ministri Saimir Tahiri.

I menjëhershëm reagimi i ish ministrit Saimir Tahiri, i cili përgjigjen ia adreson Ilir Metës, të cilin e quan tregtar votash.

Më dëgjo me vëmendje Ilir Meta! U bë një kohë e gjatë që më bie në qafë duke hedhur baltë mbi mua dhe t’a kam thënë në sy kur kishim ende komunikim bashkë se je gabim! Po ti nuk pushove një sekonde në luftën tende të verbër me mua. Më hodhe në kurriz të gjithë doracet që paguan në kazanin mediatik të Shqipërisë dhe jo vetëm. Ke jave të tera që sa ti, sa gruaja jote, sa kryeshërbëtori yt, sa luanët e kotelet e kazanit tënd politik, merreni me mua duke sajuar lloj-lloj idiotësish, për gjoja presione policore e blerje votash! Se kush është tregtari më i madh i blerjes se votave dhe i vendeve te punës në Shqipëri, këtë e di i madh e i vogël! Prandaj ti nuk i mbush mendjen dot askujt me rolin qesharak te viktimës së zgjedhjeve që po e luan si i dalë mendsh, ekran me ekran dhe shesh me shesh. Unë e di që ti do vazhdosh të merresh me mua dhe s’po e postoj këtë mesazh që ti të heshtësh, por që ti ta dish se nuk do pushoj një minute deri kur të mbarojë procesi i votimit që ti dhe kazani yt politik ta merrni atë qe meritoni nga Tirana, Vora, Kamza, Kavaja e Rrogozhina! Me vota Ilir me vota, jo me zarfa, as me iPhone, as me miell, as me grurë dhe as me grupe që janë objekt i punës së Policisë së Shtetit për përfshirje në trafiqe të renda…”

 Tahiri e akuzon Presidentin e zgjedhur për herë të parë publikisht si autor të vendosjes së përgjuesit në zyrën e tij, nëpërmjet zëvendësministrit te brendshëm.

Pagove para që të nxish Policinë e Shtetit dhe mua personalisht, edhe në media e portale jashtë Shqipërisë. Më vure pas një hafije tënden si zv.ministër që arriti deri në çmendurinë e tentativës për të përgjuar zyrën time! Nuk le mik e partner të Shqipërisë pa i zbrazur balten e barkut tënd, sa herë të takonin si kryetar kuvendi. Dhe nuk të mjaftoi fakti qe unë e lashë detyrën, për të vazhduar të merresh me mua papushim! Madje aq i pashërueshëm je në këtë fiksimin tënd kundër meje, sa u lëshove fare edhe kundër Policisë së Shtetit, pasi u zgjodhe edhe President zotrote me votat e Partisë Socialiste.”

Pjese e debatit është bërë edhe bashkëshortja e Presidentit të zgjedhur, deputetja Monika Kryemadhi, e cila postoi një mesazh për ish–ministrin Tahiri, në faqen e saj në Facebook./Tv Klan