Partia Socialiste ka reaguar, pas deklaratave të kreut të PD, Lulzim Basha dhe ish – Kryeministrit Sali Berisha. Për Partinë Socialiste, Basha e Berisha nuk kanë asgjë për t’i ofruar vendit, përveçse të sulmojnë partnerët europianë e të bllokojnë vettingun.

“Çadra nuk ka as plan dhe as shpresë për t’i ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve. Berisha dhe Basha nuk kanë asgjë çfarë t’i ofrojnë Shqipërisë, përveç se t’i quajnë “mafiozë” partnerët tanë europianë, të bllokojnë Vettingun dhe të shuajnë çdo fije shprese të shqiptarëve për zhvillim dhe mirëqenie ekonomike”.

Më tej, PS thotë se çadra e PD nuk ka asnjë plan apo shpresë për shqiptarët, por vetëm thirrje dhe kërcënime për dhunë.

“Ata mund të ofrojnë vetëm gënjeshtra nga çadra e tyre, e cila është kthyer tashmë në strehën e fshehjes të së vërtetës nga realiteti. Tashmë po bëhet përherë e më e qartë për të gjithë shqiptarët, se kjo çadër nuk ka as plan dhe as shpresë për t’i ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve, përveç thirrjeve dhe kërcënimeve për dhunë”.

Në fund të deklaratës së saj, PS thekson se nuk do të lejojë PD apo askënd tjetër që ta kthejë Shqipërinë prapa, në atë që ajo e konsideron të shkuarën e kaosit dhe paligjshmërisë.

“PS-ja nuk do ta lejojë PD-në dhe askënd tjetër që ta kthejë Shqipërinë mbrapa në të kaluarën e kaosit dhe paligjshmërisë; dhe ne nuk do të lejojmë askënd të bllokojë rrugën tonë drejt Europës dhe drejt shpresës për drejtësi e më tepër vende të reja pune”.

/tvklan.al