doshiGrupi Parlamentar i Partisë Socialiste përjashtoi Deputetin Tom Doshi në mbledhjen e thirrur jashtë radhës. Vendimi u mor për shkak të akuzave të tij të ashpra të bëra të enjten kundër qeverisë dhe Kryeministrit Rama.

Por Deputeti i Shkodrës lëshoi të tjera akuza të rënda në drejtim të një prej drejtuesve të mazhorancës, Kryeparlamentarit Meta, të cilin e quajti si tutor të Kryeministrit, duke lënë të kuptohet se ai qëndron pas këtij vendimi. Doshi deklaroi se Meta ka paguar për ta vrarë atë dhe Deputetin demokrat, Mëhill Fufi.

Pjesë të planit për eliminimin e tij ai bëri edhe Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin u shpreh se është takuar me personin e ngakuar për të kryer vrasjen. Për të gjitha këto, Tom Doshi paralajmëron se ka fakte e pamje filmike që do t’i bëjë publike.

Deputeti Doshi bëri të ditur se ai nuk do t’i bashkohet ndonjë partie tjetër, nuk do të largohet nga politika dhe se i ka mundësitë për të themeluar një parti tjetër politike.

Pas mbarimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar, Kryeministri Rama dhe Ministri i Brendshëm Tahiri nuk i komentuan akuzat e Deputetit Doshi. I vetmi që foli për mediat ishte Deputeti Ben Blushi, i cili e quajti prishje të një miqësie të ngushtë, jo për motive politike, por për arsye që mbeten ende mister dhe tha se bashkëjetesa e tyre në këto kushte ishte e pamundur.

Tv Klan mësoi se Blushi ka shkëmbyer replika edhe gjatë mbledhjes me kryeministrin Rama për mënyrën e drejtimit të partisë. Burime nga mbledhja thanë se pas një fjale të mbajtur nga kryeministri Rama, deputeti Tom Doshi është ngritur në këmbë dhe ka përsëritur akuzat ndaj tij.

Më pas ai është larguar pa pritur votimin. Përjashtimi i Doshit nga grupi parlamentar është votuar “kundër” vetëm nga 2 deputetë.

Tv Klan