naftaQë çmimi i naftës është më i shtrenjtë në të gjithë Ballkanin dhe madje edhe më i shtrenjtë se  shumë vende të Bashkimit Europian, ky tashmë është një fakt i ditur dhe i pranuar nga të gjithë.

Madje, palët nuk ndahen edhe kur vjen puna të analizohet se përse çmimi i naftës është më shtrenjtë në Shqipëri.

Si opozita ashtu edhe qeveria, pranojnë se shkak për këtë çmim më të lartë në treg është përfshirja në çmimin e naftës edhe taksave të cilat në shumë vende nuk praktiokohet.

Zhurma më e madhe po bëhet për taksën e qarkullimit.

E cila aktualisht pësoi një rritje tjetër nga qeveria me 10 lekë plus, duke shkuar në 27 lekë për litër, nga 17 lekë që ishte më parë.

Kujtojmë që akciza për litër kushton, 37 lekë, taksa doganore 38 lekë, taksa e karbonit 3 lekë, tvsh-ja 25 lekë si dhe taksa e ngjyrojes 5 lekë.

Shumë taksa për një produkt të vetëm. Për kryeministrin Rama, janë taksa që nuk u shtuan nga qeveria e tij, por të vena nga qeveria e mëparshme.

Nga ana e vet opozita e akuzon Ramën për rritjen e Taksës së Qarkullimit brenda litrit të naftës, dy herë brenda dy buxheteve vjetore të qeverisë së majtë, duke e çuar këtë taksë në 27 lekë për litër.

Por, a duhej vënë kjo taksë pikërisht tek produkti Naftë?

Deri në vendimin e qeverisë Berisha në vititn 2011, kur kjo taksë nga vjelja që i bëhej në regjistrimin e makinës kaloi në çmimin e naftës, pothuajse nuk ishte bërë problematike.

Pasi ishte normale, që të gjithë ata që përdorin një automjet duhet të paguajnë edhe taksën e qarkullimit, ideja e së cilës është përdorimi i kësaj takse për përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Por me futjen e kësaj takse në çmimin e naftës, të detyruar për ta paguar atë ishin edhe ata, të cilët naftën e blerë nuk e përdornin për të lëvizur as rrugëve dhe as në det.

Por, për të vënë në punë mjete që punojnë me këtë lëndë, fjala bie kaldaja, gjeneratorë etj.. Por, të prekur nga rritja e kësaj takse e si rrjedhojë dhe çmimit të naftës janë edhe fermerët apo peshkatarët, ku njëra palë duhet të rrisë çmimin për shërbimin, që më pas përkthehet çmim më të shtrenjtë në produkte dhe pala tjetër, sektori i peshkimit, detyrohet prej kohesh, në fakt që prej vënies së kësaj takse në vitin 2011, që të blejë karburant sa ne Itali apo në Mal të zi për anijet e tyre.

A është një opsion i mundshëm heqja e kësaj takse nga çmimi final i naftës dhe të rikthehet aty ku ka qenë? Pra tek pagesa vjetore  që duhet të bëjë çdo drejtues automjeti?

Maqedonia , Mali i Zi , Bosnja por dhe Greqia në rajon janë shembulli më i mirë. Këto vende të rajonit ashtu si dhe shumë vende të tjera europiane kanë çmime më të lira të produktit të naftës se Shqipëria, sepse nuk e taksojnë naftën me asnjë taksë tjetër përveç detyrimit të pagesës së akcizës dhe tatimit për vlerën e shtuar.

Askush në Shqipëri, nuk kundërshton pagesën e taksave, por këto taksa t’i paguajnë ata që e përdorin këtë apo çdo shërbim tjetër të taksuar, të tjerët nuk kanë arsye pse ta bëjnë.

Tv Klan