Zbardhen të tjera detaje lidhur me përplasjen mes Tiranës dhe Ankarasë për lirimin e një shtetasi turk të konsideruar si terrorist. Klan Plus siguron vendimin e gjykatës, ku theksohet se ndaj tij nuk kishte urdhër ndërkombëtar arresti. Madje një urdhër ndalimi është lëshuar nga gjykata turke, dy ditë pasi ai ishte ndaluar në Durrës.

Nga zbardhja e vendimit të Gjykatës së Durrësit për lirimin e shtetasit turk Muhammet Aydognus, rezulton se në momentin kur ai është ndaluar në portin e Durrësit, ndaj tij nuk kishte një urdhër ndërkombëtar arresti. Klan Plus ka siguruar vendimin e gjykatës.

 “Është qartë se në momentin e kontrollit të shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus në dt.07.10.2017 kur ka tentuar të kalojë kufirin shqiptar nuk ka pasur një urdhër arresti ndërkombëtar për të. Në datën 11.10.2017, policia e Durrësit është njoftuar nga Interpol Tirana për ekzistencën e vendimit të Gjykatës së Diyarbakir dt.09.10.2017 për arrestin e shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus, vendim ky i cili i ishte komunikuar Interpol Tiranës nga Interpol Ankara”

– theksohet në vendimin e gjykatës.

Duke vërejtur mungesën e urdhër arrestit ndërkombëtar në momentin e ndalimit, si dhe dokumentacionit të nevojshëm nga ana e autoriteteve turke, që kërkojnë ekstradimin e tij në Turqi, gjykata verën gjithashtu se nuk ka arsye për ta mbajtur atë në kushtet e arresit në burg, derisa ai nuk ka asnjë rrezik largimi nga Shqipëria. Ai nuk disponon asnjë dokument identifikimi me vete.

Sipas gjykatës, askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova. Gjykata ka hedhur poshtë edhe pretendimin për rrezikshmërinë e tij në Shqipëri duke theksuar se ai është një pedagog dhe nuk ka kryer asnjë vepër penale në Shqipëri, vend në të cilin ishte duke kaluar tranzit.

Lidhur me këtë vendim reagoi ashpër Ambasada turke në Tiranë duke e konsideruar atë skandaloz dhe duke theksuar se shtetasi turk i liruar është një terrorist i lidhur me lëvizjen e Gylenit dhe që përbën rrezik për sigurinë jo vetëm të Turiqisë, por edhe të Shqipërisë.

KLAN PLUS