Ndoshta do të jetë shifra më e lartë që do të qarkullojë në merkaton e futbollit të kësaj vere. 135 milionë euro është oferta që PSG ka bërë për futbollistin e Monacos, Kylian Mbappe.

18-vjeçari tërhoqi vëmendjen në sezonin e Lige 1 që sapo përfundoi me 26 gola të shënuar në 44 ndeshje. Për të filluan të interesohen skuadra të mëdha si Arsenal dhe Real Madrid.

Oferta e PSG është konkrete dhe serioze, madje drejtori sportiv i klubit është takuar dy herë me babanë e Mbappe.

I lindur në Paris, lojtari duket se është i lumtur me ofertën, por një dëshirë e tij ka qenë edhe kalimi tek spanjollët e Real Madrid.

Ende asgjë nuk është vendosur teksa vetë Monaco është gati t’i ofrojë një zgjatje të kontratës shoqëruar edhe me një shumë te madhe shpërblimi. Mbappe pritet të marrë një vendim pas pushimeve.

/Tv Klan