Disa dokumente të brendshme të rrjetit social më të madh në botë tregojnë se si Facebooku censuron atë çfarë shikojnë përdoruesit.

Manualët tregojnë kriteret “e çuditshme” të përdorur për të gjykuar nëse postimet janë shumë të dhunshme, seksiste, raciste, urrejtëse apo mbështesin terrorizmin.

“The Guardian” tha se moderatorët e Facebookut ishin “të hutuar” nga mbingarkesa dhe kishin vetëm disa sekonda për të vendosur nëse postimet duhet të qëndronin.

“BBC” kuptoi se dokumentet e para nga gazeta janë shumtë të ngjashme me dokumentet që Facebooku përdor për të udhëzuar stafin.

Publikimi i manualëve vjen pak pasi kryeministrja britanike tha se gjigantët e medias sociale po dështonin në trajtimin e përmbajtjeve toksike në rrjet.

Gazeta tha se kishte siguruar materiale të më shumë se 100 manualëve për përdorim të brendshëm nga Facebooku për të trajnuar moderatorët lidhur me çfarë mund të postohet dhe çfarë nuk duhet të postohet.

Manualët trajtojnë një gamë të gjerë subjektesh të ndjeshme përshirë gjuhën e urrejtjes, hakmarrjen, pornon, dëmtimin e vetes, kanibalizmin dhe kërcënimet për dhunë.

Moderatëorët e Facebookut të intervistuar nga gazeta britanike thanë se politikat që përdorte Facebooku për të gjykuar përmbajtjen ishin “të papërshtatshme” dhe “të çuditshme”.

Mes të tjerash, sipas manualeve, rezulton se kompania lejon përdoruesit të transmetojnë tentativat për t’i bërë keq vetes pasi “nuk dëshiron të censurojë apo ndëshkojë njerëzit në vështirësi që përpiqen të bëjnë vetëvrasje”.

 “Open Rights Group”, i cili merret me të drejtat dixhitale, tha se raporti tregonte se sa shumë mund të influencojë Facebooku dy miliardë përdoruesit e tij.

“Vendimet e Facebookut lidhur me atë se çfarë është dhe nuk është e pranueshme kanë implikime të mëdha për lirinë e shprehjes”, tha grupi.

Në deklaratë po ashtu thuhet se Facebook me shumë gjasa nuk do të bëjë kurrë ekzaktësisht gjënë e duhur, por të paktën duhet të ketë më shumë transparencë lidhur me procesin.

Ndërsa Monica Bickert, drejtoreshë e Facebookut për politikat globale tha se “ne punojmë shumë për ta bërë Facebookun sa më të sigurt që mundemi, teksa në krahun tjetër të mundësojmë lirinë e shprehjes.”/tvklan.al