Hetuesit grekë kanë mundur të zbardhin dinamikën e ekzekutimit të çiftit shqiptar Halitaj, krim që tronditi Athinën në Shkurt 2017.

Nga hetimi u zbulua se viktima shqiptar ishte përfshirë në tregtinë e drogës me një grup kriminal që drejtohet nga një person i njohur si “Monti” me origjinë shqiptare. Ky i fundit kishte marrë hua një shumë parash nga 53-vjeçari që u vra, dhe mesa duket kishte ndërruar mendje dhe nuk donte të shlyente borxhin.

Kështu, ai dërgoi njerëzit e tij për ta ekzekutuar, duke qenë se kishte njohje me viktimën dhe madje posedonte edhe çelësat e shtëpisë së tij. Udhëzimet ishin të sakta, të hynin në banesë pa zhurmë, të vrisnin 53-vjeçarin dhe gruan e tij për të mos lënë dëshmitarë pasi i njihte. Përshkrimin e ngjarjes me detaje e bën njëri prej vrasësve të arrestuar. Ai është një shqiptar 29 vjeç i quajtur Ali Kili, i cili ka rrëfyer në polici të gjithë dinamikën dhe ka pranuar krimin.

Dëshmia:

“Në lagjen ‘Peristeri’ na çoi një bashkëpunëtori ynë me taksi. Unë dhe një tjetër u futëm në apartament. Kishim veshur maska. Unë kisha pistoletë dhe bashkëpunëtori im kishte thikë. Kur hymë pamë djalin që qëndronte në sallën e ndenjies. Nuk kishim marrë urdhra që të ngacmonim as djalin dhe as vajzën që ndodhej në dhomën e saj. Burri bërtiti dhe tha “nuk kam para, çfarë kërkon”? Atë moment e qëllova njëherë me plumb në kokë dhe njëherë gruan e tij. Djali i tyre hyri në dhomë dhe bashkëpunëtori im e goditi në fytyrë me dorezë dhe me thikë, pastaj dolëm. Kur u siguruam se viktimat kishin vdekur, u larguam”.

Në këtë moment, autorët i dërguan mesazh në telefon urdhëruesit të tyre që

“puna u krye”. 

Policia greke ka prova se porositës i vrasjes së dyfishtë është një shqiptar 53 vjeç. Sipas tyre, ai ka 20 emra ndërsa mediat kanë mësuar se i flasin “Monti”. Dyshohet se ai ndodhet në Shqipëri dhe aktivitetin kriminal e urdhëron prej vendit tonë.  Hetuesit besojnë se Monti mund të jetë përgjegjës për shumë “kontrata vdekje” në Greqi gjatë 10 viteve të fundit.

Autoritetet greke arrestuan dje bashkë me vrasësin 29-vjeçar shqiptar edhe dy grekë që morën pjesë në krim, njëri prej të cilëve që i dërgoi me taksi në apartamentin e familjes Halitaj. Ata u paguan 60 mijë Euro për vrasjen e çiftit shqiptar. 

/tvklan.al