Punonjës dhe kompani që u nënkontraktuan nga “Serenissima” për të bërë punimet e By-Pass-it të Fierit dhe Vlorës kanë dalë në protestë përpara Kuvendit të Shqipërisë.

Ata thonë se kërkojnë zgjidhje për të marrë rrogat e për të paguar faturat që janë akumuluar si detyrime, pasi kanë bërë rreth 21 milionë euro punime dhe shoqëria Italilane “Serenissima” nuk ua ka dhënë.

Pranë protestuesve është afruar edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, sëbashku me disa deputetë të opozitës. Ai tha se detyrimet ndaj tyre nuk po paguhen për shkak të korrupsionit.

“M

osmarrja e parave është pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit. Ju e dini fare mirë se firma nënkontraktore ka lënë një garanci tek shteti shqiptar dhe kjo garanci mjafton dhe tepron për të paguar detyrimet që shteti tashmë pas largimit të kësaj firme mashtruese u ka mijëra familjeve për rrogat.

 

Sipas informacionit tonë kjo pagesë nuk kryhet sepse ka korrupsion. Korrupsion qeveritar dhe kryeministror. Janë me dhjetëra telefonata mes zyrës së kryeministrit dhe zyrtarëve afër kryeministrit dhe kontraktorit, të cilat fshehin një aferë të pistë korruptive. Ju nuk i merrni lekët sepse Edi Rama dhe Damian Gjiknuri janë të përfshirë në një aferë për t’i marrë këto lekë për veten e tyre.

Por kreu i Autoritetit Rrugor Afrim Qëndro mohoi çdo akuzë të bërë nga punonjësit dhe kreu i opozitës. Qëndro tha gjatë një deklarate për mediat se është duke parë me kujdes zgjidhjen e çështjes dhe se ka hapur një proces gjyqësor me kompaninë për të marrë garancinë e lënë për kryerjen e punimeve.

Janë 47 kompani e furnitorë që kanë kryer punimet e By-Passit të Fierit dhe Vlorës pa marrë ende paratë nga kompania italiane e përzgjedhur për të ndërtuar akset. Shoqëria ka shpallur falimentin, ndërsa ARRSH i ka hequr të drejtën e punimeve dhe ka rihapur garën për të përfunduar rrugët.

Tv Klan