Ky rreth – rrotullim, i cili kalon përbri Torrës Veneciane dhe vendit ku janë zbuluar rrënojat arkeologjike u bë shkak që shoqëria civile të ngrihet sërish në protestë.

Ata pretendojnë se firma ndërtuese dhe Bashkia e Durrësit po shkelin vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, që sipas tyre, vendosi pezullimin e punimeve në zonën A arkeologjike të qytetit.

Të kontaktuar në telefon, Bashkia Durrës tha se punimet po kryhen në respekt të vendimit të Gjykatës Administrative dhe se nuk ka asnjë shkelje.

Në dokumentin e siguruar nga Televizioni Klan, që mban datën e 16 Shkurt thuhet se Bashkia Durrës, duhet të ndërpresë punimet në pjesën e sipërme të rrugës, në sheshin para hyrjes së portit, në vendin ku janë gjetur fragmente arkeologjike. Avokatja e palës paditëse Mirela Jorgo pretendon të kundërtën. 

Sipas Bashkisë Durrës, rreth – rrotullimi është ndërtuar për të krijuar lehtësi në lëvizjen e makinave pasi të bllokohet plotësisht rruga kryesore që të çon në qendër të qytetit, si pasojë e punimeve për “Veliera-n”./ Tv Klan