Pas disa ditësh protesta për pagat e vonuara nga rafineria e përpunimit të naftës në Fier, situata ka kulmuar paraditen e së hënës me kërcënimin e një prej punonjësve të uzinës se do të vetëvritej.

Agim Myrdini ka hipur në një nga oxhaqet e rafinerisë në Fier dhe ka tentuar të hidhej që aty. Ai mbante në dorë dhe një shishe me benzinë.

Pavarësisht lutjes së familjarëve, 50-vjeçari ka pranuar të zbresë vetëm pasi ka marrë premtimin e firmës që shfrytëzon rafinerinë se do të marrë pagat e 4 muajve.

Punëtori akuzoi firmën Trading Petrol and Drilling se nuk i ka paguar.  Por në një deklaratë të nisur për mediat, TPD shprehet se në bazë të marrëveshjes që ka me ARMO-n, detyrimet për të paguar punonjësit i ka rafineria dhe jo ajo.

TPD njofton se ka përfunduar po ashtu marrëveshjen e shfrytëzimit të rafinerisë së Fierit, pasi asetet e saj tashmë ndodhen në dorë të  përmbaruesve. Bankat kanë filluar ekzekutimin e kolateralit për kreditë që ka patur rafineria.

Kompania akuzon autoritetet shtetërore se po i bëjnë asaj presione të padrejta përmes gjobave. Nga ana tjetër 150 punëtorë të uzinës thonë se kanë 4 muaj pa u paguar dhe 18 të tjerë që nuk u paguhen kontributet shoqërore./ TV KLAN

https://www.youtube.com//embed/fmDT9W0b_Qg