Qytetarët nuk arritën sot të merrnin shërbime nga shteti, as bizneset. Zyra si ato të hipotekave, patentave, e të tjera institucione shtetërore nuk u hapën. Këshilli i Ministrave e shpalli të hënën ditë pushimi, si shpërblim për administratën, për miratimin e Reformës në Drejtësi. Për pasojë, qytetarët i gjetën sportelet mbyllur edhe pse për disa prej tyre, shkelja e afateve në plotësimin apo marrjen e dokumentacioneve mund të sjellë dëme të formave të ndryshme e penalitete.

drejtoria-transportit-rrugor-Kashar

Ndërsa këtu në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor në Kashar, qytetarë të shumtë që bënë disa kilometra për të regjistruar pronësinë e automjeteve, për të kryer kontrollin fizik apo për të tërhequr patentat, nuk mundën të kryenin asnjë shërbim.

Në të gjitha institucionet, që këtë të hënë e patën pushim si dhuratë, edhe pse nuk kuptohet cili ishte roli i tyre në miratimin e Reformës, qytetarët kanë ndeshur vetëm rojet, nga ku kanë marrë përgjigjen se shërbimet shtetërore, për të cilat ata paguajnë, nuk mund t’i marrin.

Pati edhe nga ato institucione që pavarësisht vendimit të Këshillit të Ministrave, të hënën e bënë ditë pune, si doganat, posta, çerdhet e kopshtet apo Gjendja Civile. Edhe administrata e pati ditë pune, me vendim të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Tv Klan