Presidenti rus, Vladimir Putin është takuar sot në Moskë më homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç.

Putin dhe Vuçiq kanë qenë të kënaqur pas takimit, duke thënë se bashkëpunimi mes dy vendeve është duke u rritur dhe u pajtuan që marrëdhëniet në mes të dy palëve në të ardhmen mund të arrijnë “në nivelin më të lartë”, ka raportuar agjencia e lajmeve TASS.

Vuçiç, i cili ka biseduar në gjuhën ruse me Putinin, ka theksuar rritjen e volumit tregtar në mes të dy shteteve.

Ai ka përgëzuar Putinin për vendimin e tij që të garojë përsëri për president të Rusisë.

Duke e përshkruar marrëdhënien ruso-serbe si “partneritet strategjik”, Kremilini ka thënë para takimit se Vuçiç dhe Putin do të diskutojnë marrëdhëniet bilateriale si dhe çështjet rajonale e ndërkombëtare.

Përmes një deklarate është thënë se planifikohet që të dy palët të nënshkruajnë një varg dokumentesh gjatë vizitës së presidentit Vuçiç në Rusi.

Vuçiç ka qenë i shoqëruar nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, derisa ata e kanë cilësuar vizitën se shumë “të rëndësishme për ne”.

‘Ky është konfirmim i relacioneve tona të mira”, ka thënë Daçiç pasi është takuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Qëllimi ynë është që të rregullojmë marrëdhëniet në të gjitha fushat”, ka shtuar ai.

Vuçiq ka qenë herën e fundit në Moskë gjatë muajit mars, kur ende ishte kryeministër i Serbisë.

Ai është president nga Prilli i këtij viti.

Ai e konsideron veten si reformator pro-evropian, derisa kërkon që të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë si aleate të Serbisë.

Në një intervistë të këtij muaji, Vuçiç i ka thënë agjencisë së lajmeve ruse TASS, se Serbia planifikon blerjen e helikopterëve ushtarakë dhe sistemin e mbrojtjes ajrore nga Rusia.

Ai po ashtu është cituar të ketë thënë se shteti i tij e përkrah një kurs pro-evropian, mirëpo nuk ka plane të anëtarësimit në NATO./REL