Presidenti rus, Vladimir Putin akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës së po planifikojnë sulme të reja ajrore në Siri dhe për të arritur këtë qëllim po inskenojnë bombardime me armë kimike, si ai i pak ditëve më parë në Idlib.

Vladimir Putin: “Kemi informacione nga disa burime se po planifikohen sulme të rreme kimike  për të bombarduar pjesë të tjera të Sirisë, ndoshta Damaskun.”

Moska doli në krah të aleatit Bashar al-Assad në sulmin kimik ku humbën jetën 89 persona, mbi 20 prej tyre fëmijë. Kremlini njoftoi se bombat kimike nuk u lëshuan nga avionët qeveritarë, por ishin në depot e rebelëve.

Situata kritike në Siri, nuk gjeti zgjidhje as në Samitin e 7 vendeve më të industrializuara në Itali.

Propozimi i Britanisë së Madhe për të vendosur Sanksione ndaj Sirisë nuk u miratua, pasi hetimet për fajësimin e Forcave qeveritare nuk janë mbyllur.

Vendet e G7 me në krye Shtetet e Bashkuara, po përpiqen të bindin Rusinë të heqë dorë nga mbështetja për Assadin. Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, mbërriti këtë të martë në Moskë, për të vijuar personalisht bisedimet.

Tv Klan