Marrëdhëniet e tensionuara mes Rusisë dhe Turqisë që prekën pikën më të ulët pas incidentit me avionin luftarak rus, janë kthyer në normalitet.

Kjo ishte ajo çka deklaroi presidenti Vladimir Putin në takimin me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Shefi i Kremlinit njoftoi se sanksionet ekonomike ndaj Ankarasë nuk janë më një pengesë mes dy vendeve.

Por kryefjala e takimit të Soçit mes dy krerëve të shteteve ishte Siria dhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit. Putin dhe Erdogan diskutuan futjen e një zone armëpushimi në Siri.

Putin tha se “në Siri duhet të vendoset armëpushim. Bashkë me Turqinë dhe Iranin kemi diskutuar prej kohësh se si ai mund të praktikohet. Një mundësi është krijimi i zonave të sigurta apo zonave të ndalimit të fluturimeve.”

 Për presidentin turk Erdogan bisedimet me Putin dhe presidentin e SHBA-ve Donald Trump janë një shpresë për nisjen e një ere të re për Sirinë dhe Irakun.

Tv Klan