Ashtu si çdo vit presidenti rus Vladimir Putin iu përgjigj pyetje të gazetarëve nga e gjithë bota, në konferencën e madhe për shtyp të fundvitit.

Kriza koreane ishte një prej çështjeve që ngjalli më shumë interes. Shefi i Kremlinit akuzoi Uashingtonin për acarim të situatës. Ndërsa paralajmëroi pasoja katastrofike në rast të një sulmi amerikan ndaj Koresë së Veriut. 

“Rusia nuk e pranon statusin e fuqisë bërthamore të Koresë së Veriut. Por ka qenë SHBA-ja ajo që nxiti Penianin të shkelë marrëveshjen bërthamore të 2005-ës”.

Palëve u kërkoi të ulin tonet, ndërsa u tregua i gatshëm të japë kontributin e tij në dialog. Putin foli gjithashtu edhe për hetimin që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Akuzat Putin i quajti shpikje të kundërshtarëve politikë të presidentit Trump për të goditur figurën e tij. Të dëmtuarit e vetëm nga kjo çështje, tha Putin, janë amerikanët.

E duke qenë se kjo është konferenca e tij e fundit para zgjedhjeve presidenciale të Marsit, Putin tha se do të garonte si i pavarur. Për mungesën e rivalëve në garë e hoqi përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se opozita nuk ka politikë ndaj tij.

Tv Klan