Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj mori sot pjesë në nënshkrimin e Protokollit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës për themelimin e Qendrës së Përbashkët për Bashkëpunimin Policor që do të hapet në Plavë, Mal të Zi.

Qendra do të ketë për funksion shkëmbimin dhe analizimin e informacionit dhe rritjen e bashkëpunimin ndërkufitar, me qëllim parandalimin dhe luftën kundër të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar.

Qendra do të bëjë të mundur përdorimin më racional të burimeve njerëzore dhe tekniken e luftën kundër krimit. 

Ministri Demiraj deklaroi gjatë ceremonisë së nënshkrimit të protokollit se ishte i gëzuar për hapjen e kësaj Qendre të Përbashkët të Bashkëpunimit Policor duke nënvizuar angazhimin maksimal për të luftuar krimin e organizuar, trafikimin e lëndëve narkotike, trafikun e qenieve njerëzore dhe migracionin e paligjshëm.

Ministri Demiraj garantoi mbështetje të plotë që qendra të jetë operacionale sa më shpejt dhe theksoi rëndësinë e shtrirjes së bashkëpunimit trepalësh edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët./tvklan.al