Brenda Nëntorit qendra e Tiranës do të çlirohet nga trafiku i makinave. Bashkia e Tiranës dhe OSHEE-ja kanë nisur punimet për zhvendosjen e nënstacionit elektrik, i cili i hap përfundimisht rrugën zgjerimit dhe vënies në funksion të plotë të projektit të Unazës së Vogël.

Punimet, të cilat kanë nisur prej disa ditësh, u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi u njoh edhe me detajet e operacionit, u shpreh i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit te zhvendosjes së nënstacionit në një sipërfaqe të nëndheshme, e krijuar posaçërisht për të.

veliaj-trr

Kryebashkiaku falenderoi edhe përfaqësuesit e OSHEE-së, të cilët kanë marrë të gjitha masat që qendra e Tiranës mos mbetet pa drita. Veliaj sqaroi se festat e nëntorit do ta gjejnë Tiranën të çliruar nga trafiku dhe rrëmuja e punimeve, falë lirimit të hapësirës që ishte bërë pengesë prej disa vitesh për të vënë në funksion Unazën e Vogël.

Kreu i Bashkisë tha se me ritmet me të cilat ka ecur puna deri tani, edhe sheshi “Skënderbej” pritet të marrë formën e tij të plotë para afateve të përcaktuara në kontratë, duke i dhënë qendrës së Tiranës pamjen e merituar. Kryebashkiaku ka kërkuar sërish mirëkuptimin e qytetarëve për pengesat e krijuara gjatë kësaj kohe. /tvklan.al