Sparkak Koka, gazetar Tv Klan:

“Ky është vendi ku është gjetur i groposur mesditën e 14 shkurtit në zonën e Priskës, një kufomë e seksit mashkull me indentitet të papërcaktuar. Sipas policisë, paraprakisht dyshohet se shtetasi është ekzekutuar me armë zjarri”   

Trupi i viktimës është gjendur lakuriq vetëm me të mbathura dhe në pjesën e kokës pjesërisht i dekompozuar. Kufoma ishte groposur, kur është konstatuar nga një bari i zonës, pasi qeni i bariut po gërmonte në vendin ku u gjet.

Kufoma është një mashkull me gjatësi 175 deri në 180 centimetër.

Sipas të dhënave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore janë konstatuar dy plagë me armë zjarri, një në pjesën e zemrës dhe një tjetër në kokë.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se kufoma dyshohet të jetë vrarë në harkun kohor të tre deri në gjashtë muaj.

Një ekspertizë më e thelluar do të përcaktojë kohën më të saktë të ngjarjes.

Burime nga Mjeksia Ligjore pohojnë për Televizionin Klan së kufomës është arritur t’i merren shenjat e gishtave për të bërë krahasimin e tyre me kartelat daktiloskopike në regjistrin penal, për të evidentuar nëse rezulton person i skeduar, çka do të ndihmonte në identifikimin e tij.

Të gjitha drejtorive të policive në qarqe u është kërkuar informacion rreth denoncimeve për persona të zhdukur në harkun kohor të  9 muajve të fundit, në mënyrë që familjarët e këtyre shtetasve t’u bëhet paraqitja për njohjen e kufomës.

Të parët që janë paraqitur në morg kanë qenë të afërmit Enver Stafukës, i zhdukur një vit më parë. Por ka rezultuar se viktima nuk është ai.

Është përjashtuar edhe mundësia që të jetë edhe këngëtari Renato Hamza, nga Elbasani, i cili rezulton i zhdukur që prej 29 qershorit 2014.

TV Klan