Ngërçi politik në Itali ka hyrë në rrugën e zgjidhjes. Lëvizja 5 yjet dhe Lega Nord pritet ta formojnë sëbashku qeverinë e re në një koalicion dypalësh. Liderët e dy partive nisën negociatat, pasi ish-kryeministri Silvio Berluskoni i hapi rrugën partnerit të tij qendrës së djathë Mateo Salvini për të marrë pjesë në qeverinë e koalicionit. Përmes një deklarate publikuar në Facebook në orët e vona të së mërkurës, Berluskoni tha se nuk do të vendoste Veto për qeverinë e tyre, por as do ta mbështeste atë.

Mes Lega Nord dhe Lëvizjes 5 Yjet janë zhvilluar disa raunde negociatash që prej zgjedhjeve të 4 marsit. Por Lega Nord kërkonte përfshirjen e gjithë koalicionit të qendrës së djathtë, në qeverinë e përbashkët me 5 Yjet, duke i qëndruar besnik marrëveshjes me kreun e Forza Italias, Silvio Berluskoni. Por Luixhi Di Maio kërkonte përjashtimin e Berluskonit si faktor në qeverinë e re, duke e konsideruar si simbol korrupsioni dhe të politikes së vjetër. Koalicioni i qendrës së djathtë do të vijojë ekzistencën por pa partnerët e tjerë në qeveri.

Sipas mediave italiane, negociatat mes 5 Yjeve dhe Lega Nord do të vijojnë në nivel liderësh dhe ekspertësh për programin qeverisës. Nëse do të ketë progres, qeveria e re pritet të marrë formë deri të hënën.

Tv Klan