Maqedoni – Edhe me rishikimin e buxhetit që miratoi qeveria, në arkën shtetërore do të mungojnë 302 milionë euro. Por, për dallim nga ajo që e propozoi VMRO-DPMNE-ja vitin e kaluar, buxheti i ri të cilin tani e propozon LSDM-ja do të jetë më i ulët për 47 milionë euro. Shkurtim më të madh ose rreth shtatë milionë euro do të ketë për kabinetin e kryeministrit Zoran Zaev. Janë shkurtuar të gjitha paratë për reklama, fushata, për promovim, si dhe për sektorin civil. Më pak para ka edhe për udhëtimet zyrtare, reprezentacione dhe promovime ekonomike. Shkurtim minimal do të ketë edhe në investimet kapitale.

Rialokim i fondeve mes shfrytëzuesve buxhetor të dedikuara për pagesën e pagave, alokim të fondeve shtesë prej një miliard e dyqind e dyzet e pesë milionë denarë për Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor, që të sigurohet pagesa e pensioneve dhe shpenzimeve në shtyllën e dytë pensionale, diçka që është dashur të sigurohet që gjatë projeksionit të buxhetit. Dhe 200 milionë denarë për transferime sociale –deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Kryeministri tha se do të ketë para për vazhdimin e të gjitha projekteve të filluara kapitale.

Thjeshtë, do t’i vazhdojmë të gjitha rrugët që janë filluar ose projektuar që janë të papërfunduara. Do të vazhdojmë gjithçka që është infrastrukturë. Do të vazhdojmë gjithçka që është ndërtim i rrugëve dhe sallave sportive. Kemi përfshirë edhe ndërtimin e disa shkollave, si dhe rikonstruksion të disa shkollave. Vazhdojmë me gjithçka që është kapitale në shtet – tha Zaev.

Zaevi tha se deri më tani kanë vërtetuar rreth 400 milionë euro borxhe të fshehura dhe pret që kjo shumë të rritet, por siç tha nuk ka nevojë për brengosje. Me Rishikimin do të ketë para për rritjen e pagës minimale që punëtorët duhet ta marrin në shtator, ndërsa do të ketë para edhe për tre mijë punëtorë të falimentuar, të cilët do të marrin kompensim mujor. Rreth nëntë milionë euro janë parashikuar të shpenzohen për punësim ose trajnim shtesë të të rinjve të papunë. Me Rishikimin, deficiti në buxhet mbetet i njëjtë ose 2,9 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor. Deri tani nuk është planifikuar lëshim i euroobligacionit. Rritja e ekonomisë ulet në 2, 2 për qind prej tre për qind sa ishte planifikuar më parë. Kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij presin që Rishikimi të votohet edhe në Kuvend para se deputetët të shkojnë në pushim./ALSAT