Alarmit të dhënë disa herë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për rrezikun e nivelit të lartë të kredive të këqija në vendin tonë, qeveria shqiptare i është përgjigjur me afate konkrete për zgjidhjen e këtij problemi.

Në një letër mirëkuptimi dërguar FMN-së në janar të këtij viti thuhet se brenda muajit Mars 2016 do të hartohet një plan i detajuar veprimi, për trajtuar fatin  e 35 kompanive më të madha që zënë pjesën më të madhe të kredive të pakthyera në banka, ose afro 56% të totalit të  kredive me probleme.

Deri në fund të muajit Prill, Banka e Shqipërisë thuhet se do të miratojë masat për të përshpejtuar uljen e nivelit të kredive me probleme përmes përdorimit të ristrukturimit të borxhit jashtë gjykatës.

Ministria e Drejtësisë do të paraqesë ligjin e ri të falimentimit në parlament deri në fund të qershorit. Ndërsa në fund të shtatorit pritet të paraqiten në Kuvend ndryshimet e Kodit të Procedurës Civile dhe Ligji për përmbaruesit private që synon rritjen e efikasitetit të proceseve gjyqësore dhe mbledhjes me forcë të detyrimeve.

Tv Klan