Me dhjetëra kriminelë të rrezikshëm shqiptarë, të cilët duhet të ishin kthyer në Shqipëri nga burgjet e mbipopulluara britanike, ndodhen ende pas hekurave në këtë shtet, pavarësisht një marrëveshjeje të firmosur mes dy vendeve, 5 vjet më parë.

Problematika është ngritur nga e përditshmja “The Sun”, e cila shkruan se kjo marrëveshje e nënshkruar në vitin 2013, supozohej që do të kursente rreth 25 milion paund nga taksat e qytetarëve britanikë. Fillimisht ishin mbi 100 të burgosur që pritej që të ktheheshin në Shqipëri, por “The Sun” thotë se së fundmi ka zbuluar se në total janë kthyer vetëm 23 prej tyre.

Shumë prej tyre po e kundërshtojnë këtë lëvizje duke pretenduar se preken të drejtat e tyre njerëzore, ndërsa të tjerë ia dalin që të qëndrojnë duke kërkuar azil, duke gënjyer autoritetet Britanike, me pretendimin se janë refugjatë kosovarë.

Të dhënat e fundit, shkruan “The Sun”, tregojnë për 716 shqiptarë të burgosur në burgjet e Britanisë, shumë prej të cilëve vrasës, përdhunues e trafikantë droge, që vuajnë dënime afatgjata e që janë të dënuar edhe në vendlindjen e tyre.

Jeremy Wright

Skema e vitit 2013 parashikonte që do të ktheheshin ata të burgosur që ishin dënuar nga gjykatat britanike me 4 vjet burg e më shumë. Në atë kohë, Ministri Jeremy Wright u shpreh i kënaqur për marrëveshjen e arritur me palën shqiptare

. “Qeveria britanike dëshiron që të burgosurit e huaj ta vuajnë dënimin në vendin e tyre të origjinës. Ne do të punojmë me qeveritë që të shkëmbejmë praktikat më të mira, të përmirësojmë standardet dhe në fund t’i kursejmë para taksapaguesve britanikë”.

Më herët gjatë kësaj jave, shkruan më tej “The Sun”, zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë mbajtën bisedime me palën shqiptare në Tiranë, për të diskutuar për përshpejtimin e këtij procesi.

“The Sun” sjell në vëmendje edhe një postim në Facebook të Ambasadës britanike në Tiranë, e cila shprehej: “

Gjykatës britanikë dhe shqiptarë, hetues dhe ekspertë po punojnë për të përmirësuar Marrëveshjen Bilaterale për Transferimin e Burgjeve mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë”.

“Ekspertët tanë kanë analizuar 23 raste dhe po diskutojnë rreth gjetjeve të tyre”.

Shumë kriminelë të rrezikshëm shqiptarë po vuajnë dënimet e tyre në burgjet britanike, për krime si vrasje, trafik droge etj, thekson në fund “The Sun”.//tvklan.al