Rama-administrata_dielli_al

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë pasditen e sotme në një një bashkëbisedim që ministrat e qeverisë së tij kanë organizuar me Administratën Publike.

Në fjalën e tij në këtë bashkëbisedim, kryeministri Rama u shpreh se Administrata publike është ajo që ka munguar më shumë në të gjithë këta vite duke theksuar nevojën që administrata publike të marrë trajtën e një administrate europiane, solide dhe të respektueshme nga të gjithë.

“Administrata do të jetë themeli i Shqipërisë europiane, anëtare e Bashkimit Evropian. Po punojmë për një administratë në shërbim të qytetarit dhe respekt të ligjeve të vendit. Një administratë që është ajo çka ka munguar më shumë se çka tjetër në gjithë këto vite, dhe është ajo çka do të jetë themeli i Shqipërisë europiane, si anëetare e BE. Në një realitet që jetësohet këtu në vend. Realitetin evropian të jetës së këtij vendi dhe që pikë së pari fillon aty ku qytetari troket dhe dera e administratës hapet për ta dëgjuar dhe për ti shërbyer. Me anë të administratës publike eksperienca e njerëzve të një vendi, vihet në shërbim të shoqërisë”, u shpreh Rama.

“Administrata i përket shoqërisë, që kërkon me të drejtë që administrata publike të ndahet nga politika. Kjo nuk do të thotë se kush punon në administratë nuk duhet të ketë bindjet e tij politike, nuk do të thotë që kush shërben në administratë t’i shmanget nga frika aktiviteteve politike, apo të ngurrojë po nga frika të behet pjesë e diskutimeve që politika hap me shoqërinë. Kjo nuk do të thotë që politika ta uzurpojë administratën përmes të besuarve të vet, por përkundrazi që politika si besimi njerëzve për ta bërë jetën më të mirë të mos ndahet nga bindja e çdo nëpunës, se i duhet shërbyer çdo qytetari njësoj pavarësisht bindjeve politike të tij. Aministrata është mjet për ta bërë më të mirë bashkëjetesën mes njerëzve.

Politika si besim i njerëzve për ta bërë jetën më të mirë duhet të mos ndahet nga bindja e çdo nëpunësi se në administratë është për ti shërbyer njerëzve, pavarësisht bindjeve të veta dhe bindjeve të tyre. Politika është mjet për ta bërë më të mirë bashkëjetesën mes njerëzve. Politika nuk është mjet për të kapur sistemin, por është sistemi i komunikimit që e bën më të mirë të sotmen dhe më të garantuar të ardhmen”, tha kryeministri.

 

Milena Harito: Reformimi i administratës, kusht i BE-së

Ndërsa, Ministrja e Inovacionit, Milena Harito,  ka theksuar vendosmërinë e qeverisë së re që rekrutimet në administratë të bazohen në meritë dhe jo në njohje.

“Reforma në administratë ndodhet në një stad të ri. Nuk do të ketë korrupsion në administratë, dhe do të përpiqemi t’i kthejmë dinjitetin asaj. Po kështu depolitizimi i administratës publike, është e sfidë e madhe për ne. Po punojmë për një ndryshim të madh. Konkurset do të jenë reale. Askush nuk duhet ta shikojë më administratën si një vend ku mund të merret rrogë pa punuar.

Qeveria do të jetë garant për mbrojtjen e administratës publike. Askush nuk do t’ju kërkojë më me listë në dorë votat. Për në meritokracia dhe integriteti moral janë të pandashme. Kush e merr pozicionin me meritë ka mundësi ti dalë për zot. Askush nuk mund të sillet sikur zyra e shtetit është pronë e babait, sepse do të mbajë përgjegjësi përpara ligjit. Ne e kemi filluar punën me rekrutimet. Njerëzit janë ata që janë, gjithnjë do të kenë tentacion të favorizojnë dike apo dike tjetër. E rëndësishme është të ndërtojmë sistemin.