RAMALibrave shkollorë alternativë apo siç njihet ndryshe alterteksti, do të jetë një metodë që i përket së shkuarës, pasi Kryeministi Edi Rama, në analizën e 300 ditëve të arsimit, bëri me dije se shumë shpejt nuk do të ketë më tekste alternative.

Sipas tij alterteksti ka krijuar kaos në sistemin arsimor parauniversitar.

Duke vënë në krye të listës cilësinë e mësimdhënies, kreu i qeverisë paralajmëroi mbyllje të universiteteve që nuk e kalojnë procesin e akreditimit, proces që ai paralajmëroi se do të nisë vitin e ardhshëm shkollor dhe do të kryhet nga një kompani angleze.

300 ditët e para të qeverisë kanë mjaftuar sipas Kryeministrit për të mbyllur kapitullin e politizimit në arsim, ndërsa do të vijojë me testimin e drejtuesve të Drejtorisë Arsimore dhe çdo mësuesi, ku kriter bazë do të jetë merita dhe kontributi i tyre në sistemin arsimor.

Sa i përket prioriteteve të së ardhmes në fushën e arsimit, kreu i qeverisë listoi së pari futjen e sportit në shkolla duke filluar nga ky vit shkollor, vijimësinë e reformës në arsimin e lartë, forcimin e maturës shtetërore si dhe kthimin e shkollave 9- vjeçare në qendra komunitare.

Tv Klan