Ka vijuar me debate e akuza të ashpra mes opozitës e maxhorancës edhe seanca plenare e të premtes, ku kryefjalë ishte krimi. Kryeministri Rama tha se pas baltosjes së tij për lidhje me bandat e trafikun qëndron mungesa e vizionit dhe humbja e thellë e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit.

 

“Ju keni ardhur këtu me çadrën tuaj të vjetër të akuzave e shpifjeve,  asnjë vizion, bosh, asnjë program. Keni zgjedh të na bëni ne fajtor për disfatat tuaj dhe ta lini opozitën jetime të papërgjegjshmërisë suaj. Miku im Basha pasi bëri një akt lidershipi e mohoi se u tremb nga frëngjite e Jozefinës e Patosit…Nga ofiqar të e SHQUP-it që humbën karriget dhe u kthye tek çadra e dasmave tek lufta me krimin e drogën dhe ripohoi politikën qorre e shurdhe që për katër vite ju katandisi ju në një gjysma gjel edhe i lagur. Ju po hoqët krimin nga fjalimi s’dini ça të bëni…”

Në kundërpërgjigje Basha e akuzoi se e ka kthyer Partinë Socialiste në strehë të krimit e trafikantëve.

“Qani hallin e PD, e dini që në degë të caktuara partinë tuaj e sundon krimi si këta këtu në zyrat tuaja, por kur ju ngrenë pistoletat në zyrat tuaja, ndodh edhe në dege, e keni dhurate nga Rama, qe s’ka dhënë një shpjegim për dy të dyshuarit në Elbasan se pse Durim Keci nuk u fut në kërkim, por e arrestove para se të shkonte tek Xhentiloni. Ti se lufton krimin se je njësh me ta.”

Rama u kundërpërgjigj: “Unë nuk jam as trafikant dhe as bos i drogës, Kujt t’ia çoj foton sot me, ai që ishte në çadër Lulzim. Ça do them unë tani që ju jeni të inkriminuar.”

Replikat vijuan teksa Basha paralajmëroi se ditët në vijim pritet publikimi i disa të dhënave që sipas tij faktojnë akuzat e opozitës.

Perplasje pati edhe mes kryeministrit dhe kryetares se LSI.

 

“Miqtë e  LSI dhe panorama e opozitës behet ‘bir o Lul vëllai kë të qaj më parë, ty a motrën tonë”. Kam shumë emocion se kë të qash më parë vëllain apo motrën që ka një hall dhe halli i ka bërë bashkë ku dëgjohen thirrjet bombastike se krimi e droga e kanë fajin që ju jeni të papërgjegjshëm.

Kryemadhi reagoi duke thënë se: “Po e nis si motra, meqë ja ku është motra e madhe, krimi e ka kap dhe nuk e lë asnjë skondë, ky eshtë peng dhe do mbaje peng shqiptaret.”

Akuzat për lidhje të qeverise me krimin adresoi edhe ish kryeministri Berisha, por kryeministri Rama s’ishte prezent në sallë.

Seanca ishte vazhdim i punimeve të ndërprera të së enjtes, si pasojë e bllokimit të foltores nga opozita. /Tv Klan