Kryeministri Rama i sheh si pasqyrë të paaftësisë së Lulzim Bashës për të drejtuar Partinë Demokratike, listat e kandidatëve për deputetë të hartuara prej tij.

“Është si një kombëtare që luan me portierin e tretë, me mbrojtësa të vrarë e vajza basketbolliste në mesfushë, pa plan e strategji, shumë larg ekipit që mund të ndërtonte Sali Berisha”,-shkruan ai në një replike me Astrit Patozin, që i kujtonte se në parlament i kishte thënë që s’do të ishte në listat e Bashës dhe aludonte se kjo ishte pjese e marrëveshjes Rama – Basha.

Shkak i kësaj paaftësie për të pasur një listë fituese, sipas kryeministrit, është se Basha s’ka fituar apo humbur ndonjë betejë, se i quan humbjet fitore, pasi punën që ka marrë përsipër të bëjë s’e ka fituar, por ia kanë dhënë. Të dhëna këto, që Rama thotë se paralajmërojnë që Lulzim Basha do ta çojë në rrënim Partinë Demokratike.  

Patozit, në shkrimin e nxitur nga deklarata e tij e një dite më parë, i thotë se nuk e ka kuptuar natyrën e Bashës. 

Kryeministri Rama ishte ndër të parët që reagoi për listën e Bashës për kandidatë për deputetë, duke e quajtur një listë humbësish, të mjaftueshme për të bërë dallimin mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste./ TV KLAN