Kryeministri Rama zgjodhi një konferencë për shtyp për t’i bërë thirrje opozitës të ulen në tryezën e dialogut për të zgjidhur krizën, e cila sipas tij është artificiale. Për të gjetur një zgjidhje, Rama thotë se pranon edhe kushtin e Bashes për një takim me axhendë të rakorduar.

Por nga ana tjetër, Kryeministri i bën të ditur opozitës se s’ka për të mundur ta rrëzojë dot kurrë qeverinë e tij.

Kreu i qeverisë vlerësoi përpjekjen e Presidentit Nishani për një tryezë dialogu, pavarësisht rezervave që tha se ka për të personalisht për të.

I pyetur për lajmin e bërë publik mbi një plan të përgatitur nga jashtë vendit për ekzekutimin e kryedemokratit Basha, me qëllim krijimin e destabilitetit në vend, Kryeministri tha ekzistonte një informacion i tillë, ndonëse tha se burimi ishte kontradiktor.

Për Kryeministrin, qëndrimi refuzues i opozitës për dialog po dëmton imazhin dhe ekonominë e vendit./Tv Klan

///

Rama – Bashës: Mos na turpëro, ka filluar të na qeshë bota

Në një konferencë për shtyp nga Kryeministria, kreu i qeverisë Edi Rama i ka bërë edhe njëherë thirrje Lulzim Bashës për t’u ulur në një tavolinë dialogu pa kushte.

Teksa e konsideroi krizën e PD artificiale, kryeministri tha se ajo po dëmton jo vetëm opozitën, por edhe imazhin e vendit.

Rama theksoi se është i gatshëm për dialog pa kushte, por i ripërsëriti Bashës se nuk do të mund t’i ndalojë kurrë zgjedhjet dhe do të mund ta hedhë kurrë këtë qeveri. I vetmi që mund ta bëjë këtë, theksoi Kryeministri është populli me anë të votës.

“Në situatën që ka krijuar PD, duke u përpjekur të minojë themelin e jetës demokratike, lirinë dhe të drejtën e votuesve të saj për të zgjedhur, po ndodh ajo që s’ka ndodhur kurrë në Shëqipëri. Është opozita dhe jo qeveria që refuzon dialogun. Ka kaluar Shqipëria kriza politike reale e të rënda, të gjitha me një arsye të fortë në lidhje me popullin apo me një pjesë të konsiderueshme të tij, por kurrë ky vend nuk e ka parë një krizë të tillë artificiale, ku populli nuk është pjesë. Edhe në krizat më të rënda ka qenë opozita rregullisht që ka kërkuar dialog dhe qeveria që e ka mohuar dialogun, duke çuar deri në ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Por kurrë nuk ka ndodhur deri më sot që qeveria të lutet për dialog dhe opozita ta refuzojë brutalisht. Kam kërkuar dhe kam nxitur dialogun e palës tonë sa kam mundur me çdo instancë. Kujtoj gjithë rrugëtimin e reformës në Drejtësi, apo përpjekjet për një Reformë Zgjedhore. Fatkeqësisht nuk ia kam dalë dhe nuk ia kemi dalë pothuajse fare që të konsiderohet i denjë për këtë koncept bazë, sepse opozita asnjëherë nuk ka dashur të shfrytëzojë gadishmërinë tonë dhe ka abuzuar me hapësirën që ka pasur në këto 3 vite e gjysmë dialog në parlament”.

Megjithatë sot unë jam sërish këtu për dialogun dhe nevojën për tryezë pa kushte. Edhe pse kërkesat e opozitës unë e kam pranuar diskutimin e atyre kërkesave në tryezë. I gatshëm ta zhvillojmë dialogun sipas Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike. E kam mobilizuar zyrën time për të komunikuar me zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, duke kontaktuar pa pushim për ditë të tëra. Pa sukses. Kam treguar gatishmërinë e menjëhershme për të mbështetur një nismë të Presidentit të Republikës për dialog, pavarësisht rezervave të mëdha që kam për pozicionimet e anshme të Presidentit në momente kyçe, kur ky vend kishte nevojë për paanshmërinë e tij. Por mesa duket edhe nisma vullnetmirë e Presidentit nuk po sjell asnjë sukses për ta bindur Lulëzim Bashën të ulet në tryezë, edhe pse i është lënë Lulzimit dorë e lirë të vendosë çfarë do të diskutojë në tryezë. Kjo krizë artificiale po bllokon zbatimin e Vetting -ut dhe për pasojë negociatat drejt BE, por një parti e madhe shqiptare është bërë qesharake duke rrezikuar të na bëjë të gjithëve qesharakë.

Kjo krizë artificiale krijon një perceptim negativ për Shqipërinë, por dekurajon edhe investitorët, godet imazhin, frymëzon kriminalitetin dhe ushqen edhe fantazinë e atyre që nuk e duan këtë vend, për të krijuar një destabilizmin të mundshëm.

Pavarësisht se ne nuk do të tolerojmë asnjë kthim prapa në kohët e zymta pa shtet, nuk do të lejojmë kurrë që populli të merret peng, për të goditur Shqipërinë për ta kthyer në vatër destabilizmi, dialogu mbetet domosdoshmëri.

Mos kij frikë nga dialogu Lulzim! Mos shiko armiq aty ku s’ka dhe mos na turpëro të gjithëve duke sulmuar miq e partnerë të këtij vendit dhe mos e pengo më luftën tonë të përbashkët të këtij populli me luftën tënde për pushtet Vetting -un dhe rrugën europiane të Shqipërisë.

Ulu në tryezë, cakto kë të duash, vendin orën dhe vetëm na lajmëro dhe njerëzit tanë do jenë aty. Vetëm mos u vono dhe mos na vono. Nëse fati yt nuk më intereson fare, ashtu si ai i PD, ty dhe mua të gjithë shqiptarët e shqiptarët duhet të na interesojë qetësia dhe siguria e zgjedhësve të këtij vendi dhe meritojnë njerzillëk, në radhë të parë nga lidershipi politik. Duhet të na interesojë Shqipëria pastaj partia. Liria dhe e drejta e populli për të zgjedhur e për t’u qeverisur nga të zgjedhurit. E ke numrin tim Lulzim, ashtu sikurse edhe stafi jot. Harroje të na marrësh peng popullin, drejtësinë e shtetin. Zgjedhjet nuk ke për t’i ndaluar kurrë. Këtë qeveri nuk ke për ta rrëzuar dot kurrë nëse populli nuk vendos ta bëjë më 18 qershor. Unë po pres, mos na turpëro të gjithëve se ka filluar të na qeshë bota. Dialogu është  evetmja rrugë dhe asnjë rrugë që e shmang nuk e çon PD dhe opozitën të mbledhur në çadër në drejtimin e duhur. Duke ditur diçka më shumë sesa ti dhe sesa ju për drejtimin e duhur mund t’ju sugjeroj të gjithëve: Dialog, Dialog, Dialog…”