Von der Leyen: Integrimi u ngadalësua edhe nga aktorë të tretë

Liderët e Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor po diskutojnë në samitin e përvitshëm 2 ditor të Bledit në Slloveni për të ardhmen e unionit. Në hapje, presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen ripërsëriti qëndrimin strategjik të BE për t’i hapur dyer rajonit, aq më shumë pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë kur kërcënimi nga faktorët e tretë në këtë rajon është real.

“Përparimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit është ngadalësuar edhe nga aktorët ndërkombëtarë, përfshirë Rusinë, të cilët kërkojnë të minojnë ndërtimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit”.

I pranishëm ishte dhe kryeministri Rama ku iu kujtoi liderëve të unionit se nuk duhet të ketë vetëm fjalë, por vepra konkrete kur ka kriza si kjo ekonomike aktuale.

“Në çdo fjalim thoni “le të ndihmojmë që Ballkani të jetë me ne dhe të mos ketë ndërhyrje apo depërtim nga aktorë të tretë”. Për vaksinat, serbët vrapuan drejt Kinës dhe Rusisë, ne vrapuam drejt Turqisë dhe pa presidentin Erdogan, do kishim pasur edhe më shumë jetë të humbura. Shpresoj që BE nuk do bëjë gabimin e turpshëm gjatë pandemisë”.

Pas një fjalë përshëndetëse të presidentit Zelensky, Rama konfirmoi mbështetjen për Ukrainën dhe jo pa ironi për vendet e BE pohoi se ndryshe nga to Shqipëria nuk është e varur aspak nga gazi rus pasi përdor vetëm energji hidrike.

“Kemi marrë një vendim, një vendim kurajoz mendoj, dhe koha do ta tregojë nëse është kurajoz apo jo i mençur për të mos prekur çmimet e energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla. Ne po e mbulojmë plotësisht këtë diferencë që është mjaft e dhimbshme për buxhetin shqiptar që është më pak se buxheti i Cristiano Ronaldos, por sërish, ne ja kemi dalë të vazhdojmë kështu”.

Si në çdo forum ndërkombëtar nuk lodhet së përsërituri rezervat që ka ndaj procesit të ngadalte të integrimit, zvarritje që siguron se nuk e demoralizon aspak popullin me europiandashës siç janë shqiptarët.

“Ne jemi shumë besnikë ndaj perandorive, përgjithësisht. Ata na kanë dhënë shumë fjalë dhe ndonjëherë i mbajnë dhe ndonjëherë nuk i mbajnë, por kanë një ndjesi tjetër të nderit krahasuar me ne. Ne jemi shumë primitivë me këtë”.

Rama ka shkëmbyer jo pak batuta si me moderatorin e debatit gazetarin Ali Aslan ashtu dhe homologun slloven dhe atë islandez.

Tv Klan