Në kryeqytet u prezantua sot projekti për ndërtimin e 17 shkollave të reja. I pranishëm, Kryeministri Edi Rama tha se ky është projekti i parë i programit “1 miliardë dollarë”.

Sipas tij, ky program do t’i japë shtysë ekonomisë e punësimit, ndërsa theksoi se, falë ndërtimit të këtyre shkollave fëmijët do të kenë ambiente të denja, të barabarta për të gjithë fëmijët e Tiranës.

Rama zbuloi gjithashtu se Bashkia e Tiranës do të rezervojë gjysmë milion euro në vit për bursa, për nxënësit e ekselencës.

“Nga ana tjetër kjo shkon më së miri edhe në kthimin e Bashkisë së Tiranës në drejtimin e duhur, duke shpenzuar gjysmë milion euro në vit për nxënësit e 10 – ës, një praktikë që faktikisht, u tret gjatë 4 viteve kur Bashkia e Tiranës u kthye në një fjetore dhe ku aty kriteri kryesor ishte se kush gërhet më fort sesa i pari i shtëpisë dhe të gjithë sëbashku pastaj të mund të krijonin një kor gërhimash që në momente stresi, përktheheshin në ulërima, por faktikisht për 4 vjet nxënësit me 10 –ta humbën bursën. Një bursë që edhe financiarisht nuk është pak për të plotësuar nevojat e këtyre fëmijëve të shkëlqyer për libra apo nevojat e tyre të veçanta, por që mbi të gjitha është shprehje respekti për këta fëmijë shembullor, që besoj duhet t’i shërbejnë si shembull çdo kryetari bashkie. E mesa duket kjo ishte dhe një nga arsyet përse iu hoq bursa, sepse shëmbulli i të shkëlqyerve e streson shumë gjumin.”

Kreu i qeverisë tha se në total, do të ndërtohen 170 shkolla në të gjithë vendin.

Do të ndërtohen 150 shkolla në gjithë Shqipërinë, 53 shkolla që do të ndërtohen të reja aty ku nuk ekzistojnë dhe 94 që do të rindërtohen. Shtojmë këtu edhe 20 shkolla që do të ndërtohen në Tiranë, ku numri i tyre arrin në 170”.

 

Në fund, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, firmosën edhe marrëveshjen e bashkëpunimit./tvklan.al