Çështja Tahiri dhe ajo Balili përplasën në kuvend ish-Kryeministrin Berisha dhe kreun e qeverisë Edi Rama.

Sali Berisha: “

E dini që në makinë me Sotën ka qenë edhe Sajmir Tahiri, ka çuar Don Agaçin për t’i nxjerrë në Katania dokumentin e falsifikuar. Balili të ka në grusht ty, videon e orgjive të tua Balili ua ka çuar të tyre”.

Edi Rama:

“Unë s’bëj politikë me emra kriminelësh e krushqish këtë e ke ti si llazorja më e madhe e këtij vendi, ke bërë edhe kazanin dixhital”.

Epiteti në adresë të ish-kryeministrit Berisha solli edhe reagimin e demokratit Flamur Noka, i cili u ngrit drejt foltores  ku kërkoi nga kryeparlamentari Ruçi të ndëshkonte kreun e qeverisë, por që në fakt i kushtoi atij përjashtimin nga parlamenti dhe ndërprejen për disa minuta të seancës plenare.

Edhe me rifillimin e seancës, palët sërish u përplasën për krimin e drogën. Sipas ish-Kryeministrit, lufta ndaj këtij fenomeni është kusht për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Sali Berisha: “

Çështja Tahiri do jetë kusht për integrimin, na e thonë partnerët si opozitë, atij ia thonë tre herë më shumë. Nëse doni integrimin kërkoni arrestimin e Saimir Tahirit”.

Por kryeministri Rama tha se rruga drejt BE-së kalon nga bashkëpunimi mazhorancë-opozitë.

Edi Rama:

“Si ka mundësi që në Bruksel të gjithë përfaqësuesit ishit në një zë për çeljen e negociatave? Edhe ata që vijnë nga familja juaj u shprehën me notat më pozitive për luftën kundër krimit të organizuar. S’kuptojnë çfarë bëhet ata? Duhet të jemi bashkë për hapjen e negociatave. Nëse na ikën ky stacion s’do thotë që treni do jetë një muaj më pas”.

Replika shkëmbyen edhe për deklaratat e ambasadorëve për zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm.

Edi Rama:

“Ju luftoni me ambasadorët, i trajtoni si komshinj sikur flasin në konflikte interesi siç thotë Saliu, i turreni ambasadorëve sikur janë në një resht me Habilin e Balilin, jeni në terezi”?

Sali Berisha:

“Mos dëgjoni asnjë ambasador sepse sipas tyre shqip i ka plotësuar kushtet që në 2016”.

Debatet për krimin drogën e integrimin ia lanë vendin batutave mes palëve.

Sali Berisha:

“Në shtëpi ne kishim dy qenë e mbanim me rrethore, ujk që t’i afrohej s’kishte. I thoja s’kapej ai vërsulej sa këtu e te Shalsi me tre hapa dhe kafytej sa s’i ndaja, tjetri këlysh. Lifte gjithë ditën, i thoja kuç i thoja”.

Edi Rama:

“S’ka pse paske nis me qenin e shtëpisë e të ka mbetur si nevojë e brendshme për t’i turr e kap të tjerët”.

Për të treguar se fitorja në zgjedhjet e 2017 nuk është stacioni i fundit për mazhorancën, Kryeministri u dha një këshillë deputetëve të opozitës duke vënë në gojën shprehjen e Presidentit Meta.

Edi Rama:

“Merreni me qetësi e dashuri siç ju porositi dhe Presidenti ynë i nderuar, që s’e kemi këtu por është me frymë e shpirt mes jush prapë do ta kemi”.

Tv Klan