Kryeministri Edi Rama u ka uruar të shkuara simpatizantëve të Partisë Demokratike që kaluan lëndime pas mitingut të mbrëmshëm për hapjen e fushatës elektorale në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në kryeqytet.

Më lejoni që në këtë moment, mendimi im të shkojë tek të gjithë ata vëllezër, motra, bashkëqytetarë të opozitës që kaluan një lëndim të papritur dhe ende të pashpjeguar gjatë natës së kaluar, me urimin për të gjithë që të jenë të shkuara dhe me urimin po ashtu që ta mësojmë sa më parë arsyen e lëndimit të tyre

”, tha Rama.

140 pjesëmarrës të mitingut që hapi fushatën e Partisë Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes tyre edhe kryetari Lulzim Basha, iu drejtuan Urgjencës së QSUT-së pak orë pas mbylljes së tubimit.

Pacientet pretendojnë se ishin në radhët e para, ngjitur me podiumin ku mbajti fjalimin kryetari Lulzim Basha.

Kryeministri Rama foli në iftarin e parë të muajit Ramazan, në një tryezë të shtruar në qytetin e Elbasanit, ku gjatë ditës ai mbajti edhe mitingje elektorale.

Ai u bëri thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë të ruajnë dhe kultivojnë traditën e jashtëzakonshme të bashkëjetesës fetare dhe dashurisë për atdheun.

 

Fjala e kryeministrit Edi Rama në iftarin e shtruar në qytetin e Elbasanit:

 Të dashur vëllezër dhe motra të besës islame!

 Të nderuar të pranishëm!

 Përshtatjen e tij të Kuranit të shenjtë i përdëllyeri në besim dhe kombësi Naim Frashëri e çel në shqipen e tij të kulluar, me fjalët e shuguruara:

“M’emër të Zotit Math, q’është ndjesë math e mëshirë shumë”.

 Me këtë shpallje që është edhe një ftesë në sofrën e ngazëllimit të fitores shpirtërore të agjërimit të çdo dite gjatë këtij Muaji të Shenjtë për të gjithë ju, me përzemërsi dhe me përulësi gjendem këtu në ndarjen e bukës mes miqsh, vëllezërish dhe motrash në këtë qytet që është qyteti i zemrës dhe i mendjes.

Më lejoni që në këtë moment mendimi im të shkojë edhe tek gjithë ata vëllezër, motra, bashkëqytetarë të opozitës, që kaluan një lëndim të papritur dhe ende të pashpjeguar gjatë natës së kaluar, me urimin për të gjithë që të jenë të shkuara dhe po ashtu me urimin që ta mësojmë sa më parë arsyen e lëndimit të tyre.

Të ndodhesh në këtë vend nuk është thjesht një ndjesi e veçantë për arsyet e të qenit në zemrën e Jallisë, në mesin e artë të Shqipërisë. Është një privilegj të marrësh pjesë në një iftar, moment shëlbues për të gjithë, bashkimi dhe vëllazërimi në një nga krahinat që tutje tëhu në kohëra e sot e gjithë ditën ka mishëruar për shqiptarët e çdo feje dhe filozofie realitetin, jo utopinë e të jetuarit nën një strehë e të takuarit në një çardak dhe ndarjes së bukës në një sofër dhe me gjithë zemër.

Shqipëria e mesme, kryeqendra e së cilës Elbasani dhe Tirana kanë qenë kahera, është shquar për një qasje shumë gjithëpërfshirëse të islamit, me një theks të veçantë sa herë historia dhe nevoja e kanë lypur dhe kurdoherë kur fanatikë dhe të përhumbur në besëtytni janë rrekur t’i tjetërsojnë fytyrën paqësore dhe shpirtin krijues mbi disa parime shumë thelbësore.

Këto parime janë islami vetë, islami i pastër, islami i një shqiptarie pa ndrydhje dhe pa dyzime.

Suretet El Nisaë dhe El Israë të Kuranit kanë diktuar prej shekujsh këtu në këtë tokë temperamentin e moderuar dhe largpamës të besimtarit:

“Nuk i do Zoti ata që mbahen me të larta, po do ata që janë të urtë e që i kanë prurë besë (…) T’ecuritë mos i ke kurrë me sqimë, se Zoti s’i do ata që mbahenë të rëndë”.

 Kush ka dy pare mend, ndonëse jo i kredhur në mistikën islame, sheh në këto fjalë të urta themelin e një porosie të madhe të qytetërimit dhe urtësisë myslimane; Askush nuk mund të pretendojë të jetë besimtar pa qenë njëkohësisht edhe qytetar.

Teksa përshkruan besimtarin Naim, – të mos harrojmë që veç disa ditë më parë përkujtuam 161-vjetorin e tij të lindjes, – Rexhep Qosja parashtron mes të tjerash edhe çka mund të përkufizohet si ideali i ndjekësit të vërtetë të Profetit, “…njeri i butë, skofiar, përdëllimtar, para tij kapitullonte çdo ves, çdo nakar, çdo ndjenjë johumane”.

 Kur them ndjekës, e kam fjalën për spiritualitetin, po aq sa për veprat, të cilat feja islame, siç e ka treguar shpesh në Shqipëri për lavdinë e çdo myslimani shqiptar, i do në harmoni të plotë me rritjen, përtëritjen dhe përparimin e mbarë shoqërisë.

Sureja El A’Rafë, ”Mos thoni veç të vërtetës kurrë”, nuk mund të lexohet pa pasur ndërmend suren, En Nisaë, “Zoti s’i do të liqtë e gënjeshtarët”, duke këmbëngulur mbi

faktin që çdo gjest dhe çdo mendim i njeriut me zemër të dlirë duhet të udhëhiqet drejt të vërtetave, atyre të amshuarave dhe atyre që kërkon koha në të cilën jetojmë.

Cila është një nga të vërtetat e mëdha të islamit shqiptar në kohën që jetojmë? Kohë e trazuar me paqartësi dhe ngërçe të mëdha dhe të koklavitura në botën ku sot jetojmë. Paqartësi e boroçitje që shpesh e lënë besimtarin në udhëkryqin e opinioneve të rrahura dhe në pikëpyetje që rëndom ezaurohen në përgjigje të thjeshtëzuara dhe pa rrugëdalje.

Përgjigje që rrallë, duke përzgjedhur integrizmin e formës së një të kremteje, lënë pas dorë atë çka Naimi quan thelbin e Kuranit, një prej haditheve të profetit: “Humbu-l-vatan mine-l-iman – dashuria e atdheut është qënësi e besës në Zot”.

Zbërthyer prej dimensionit të tij të brendshëm, ose mistik, këtë hadith myftinjtë shqiptarë në vitet ’30, ata që ishin thellë në njohje dhe dituri islame dhe prej të cilësive hoxhallarë, kumtarë e rishtarë duhet të marrin shembull, e zbërthenin shumë shkoqur: “Shqiptari, përpara interesës së naltë të atdheut din me ba sakrifica dhe këto sakrifica i ban me vullnet të patundun duke qenë gati me vuajte… Kjo sjellje dëshmon se morali i kombit shqiptar asht i naltë dhe nuk tronditet në dobi t’atdheut”.

I shqetësuar nga kundërvënia artificiale mes besimit islam dhe urdhëresave të shoqërisë, tetovari Rexhep Voka ushtonte qysh në 1911-ën nga Stambolli me fjalët: “Sot dynjaja osht ba qetir, sall me pushkë e me thik nuk po fitohet, po po lihet dhe kalem e këndim, fjal e mendim”.

I bën jehonë kësaj brenge dhe libri magjepsës dhe mjerisht pak i njohur i Hafiz Ali Korçës, “Shtat ëndrrat e Shqipërisë”, në të cilin ky “halim” i islamit dhe i shqiptarizmës jep alarmin kundër atyre politikejve lakmitarë dhe zullumqarë që dhe besimtarin e marrin në qafë duke hallakatur me dokrra obskurantizmi nën vellon e doktrinës së pacenuar.

“Një nga të vërtetat e kohës sonë mbetet, – siç thoshin imamët e mençur që redaktuan numrin e parë të “Zanit të Naltë” në 1923-in, – se, detyra e myslimanit shqiptar“asht me plotsue vllaznin ndërmiet të gjithë elementëve në Shqipëri”.

 Kjo, nëpërmjet ushtrimit të detyrimeve dhe të të drejtave gjithnjëherazi ligjore dhe kushtetuese, pjesëmarrje në kuvendet ku populli vendos për fatet e veta, në çdo vend dhe në çdo kohë. Pa këtë, – këtu citoj sërish programin e Bashkësisë Myslimane Shqiptare në zanafillën e saj, – nuk mundet “me forcuem edhe themelet e nji politikës së shëndoshë e thjesht kombëtare në Shtetin t’onë”.

Si çdo besim i vërtetë, vëllezër dhe motra në besë, mirëkuptim dhe zemër të hapur islami është një angazhim shumë i madh moral dhe shoqëror, sepse është qytetërim dhe shtet konsolidues. Të parët këtë vizion, këtë mision e kishin të kristaltë dhe është mëkat, është gjynah i madh të mos ta zbatosh dhe ta përcjellësh si amanet, çka me zjarr dhe me bindje iu është lënë trashëgim; Populli shqiptar ta mbajmë komb dhe Shqipërinë ta bëjmë shtet.

Po e mbyll këtë sofër të varfër fjalësh përpara se sa të rikthehem në sofrën e dashurisë dhe të besës me një thirrje të një shqiptari të mirë të fesë islame, Sheh Ahmet Shkodrës:

 “Herët fort jam atdhetar

Nuk e du kush asht tradhtar,

Unë një herë kam ba bé,

Për besim e për atdhe”.

 Na qoftë i hajrit ne dhe mbarë Shqipërisë ky Muaj i Shenjtë që quhet dhe muaji i të vërtetave të mëdha.

Shumë faleminderit, me shumë respekt!

/tvklan.al