Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në edicionin e 17-të Forumit Strategjik të Bledit 2022 që mbahet në Slloveni, tha se lufta në Ukrainë nuk duket se do të jetë e shkurtër. E ndonëse një vend i vogël, Kryeministri tha se Shqipëria është gati ta ndihmojë Ukrainën me gjithçka mundet. 

“Jemi gati me zemër të mbështesim Ukrainën deri në fund. Gjithçka mundëm të bënim, e kemi bërë, do të vazhdojmë ta bëjmë, por nuk jam i sigurt që Shqipëria mund ta ndihmojë Ukrainën të fitojë luftën, dyshoj për këtë. 

Sa i takon sanksioneve ndaj Rusisë, Rama theksoi se vendi ynë është harmonizuar qysh prej ditës së parë me politikën e jashtë të BE. Ai shpjegoi edhe përse Shqipëria mund të reagojë fort ndaj Rusisë.

Shqipëria është shumë unike edhe këtu. Ne nuk kemi gaz, nuk kemi nevojë për gazin rus. Kjo është arsyeja pse mund të reagojmë shumë fort ndaj Rusisë sepse nuk kemi nevojë për gazin. Historia jonë ka qenë e tillë që ne nuk kemi asnjëlloj ndjesie kundrejt Rusisë më sepse në perandorinë sovjetike, monumenti i Stalinit u rrëzua apo u hoq me hijeshi në vitet ’60 ndërkohë që ne e mbajtëm Stalinin ehde pas rënies së Murit të Berlinit. Ne jemi 100% me energji të ripërtëritshme, meqë ra fjala. Prodhimi ynë i energjisë është 100% mbi bazë ujore dhe është shumë mirë kur Zoti është në humor të keq dhe qan dhe është e tmerrshme kur Zoti qesh tërë kohës dhe nuk ka lot sepse stinët e thata nënkuptojnë import dhe importi nënkupton që ndikohemi nga çmimet”.

Rama nuk la pa përmendur edhe masat e marra nga qeveria shqiptare, për të mos rritur çmimin e energjisë për familjet dhe biznesin e vogël.

“Kemi marrë një vendim, një vendim kurajoz mendoj, dhe koha do ta tregojë nëse është kurajoz apo jo i mençur për të mos prekur çmimet e energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla. Ne po e mbulojmë plotësisht këtë diferencë që është mjaft e dhimbshme për buxhetin shqiptar që është më pak se buxheti i Cristiano Ronaldos, por sërish, ne ia kemi dalë të vazhdojmë kështu. Nga ana tjetër, duke mos e rritur çmimin e energjisë as edhe një cent kemi inflacionin më të ulët, deri tani, në rajon”./tvklan.al