ramamMe 88 vota pro Kuvendi ka miratuar reformën territoriale.

Diskutimi u fokusua në debatin për Himarën dhe propozimin për ta bashkuar atë me Lukovën dhe Vranishtin. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule akuzoi deputetë afër Kryeministrit se ndarjen e Himarës e kthyen në një allishverish për interesa partiake e personale.

Vangjel Dule: “Po përse po ndodh ajo. Është për një arsye të vetme banale. Në Himarë kudo që shkon të vret syrin nga ana qytetare, urbane, disa ndërtime monstruoze. Investitori i atyre godinave, ndërtimeve ka emër dhe mbiemër, fatkeqësisht është edhe këtu midis nesh. Pikërisht ai njeri i cili i jepet rasti të jetë njeri i afërt i Kryeministrit, kërkon dhuratë zonën e Himarës. Ashtu siç i ka nxjerrë sytë deri më sot, t’i heqë dhe vetullat dhe ta shkatërrojë atë në tërësi. I nderuar Kryeministër, kemi ndarë shumë shqetësime gjatë viteve të opozitës bashkë. Një nga shqetësimet tuaja të vazhdueshme ishin oligarkët, kthetrat e tyre që po shtriheshin në ekonomi, në politikë e në prona. Mos vallë edhe juve në mënyrë të vullnetshme apo të pavullnetshme po bëheni motivues indidvidësh dhe fenomenesh të tilla”.

Dule e quajti të papranueshme ndarjen e re dhe paralajmëroi referendum për zonën e Himarës.

Vangjel Dule: “Aty do jemi, aty do ndahemi me referndumin, konform ligjit për referendumet dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Është ai, populli Sovran që me referndumin vendor do të thotë fjalën e vet”.  

Edhe pse ishte në parlament Kryeministrit iu desh të futej në histori për të thënë se Himara është krahinë shqiptare, duke cituar në gegnisht disa shënime të Eqerem Çabejt të vitit 1936.

Edi Rama: “Himara në paanësinë e saj ka qenë dhe është një krahinë shqiptare, ku sundojnë dhe sot cilësitë e racës shqiptare më fort se në disa krahina të tjera të shtetit tonë. Në Himarë, Dhërmi e Palasë, flasin qartë zakonet krejt shqiptare, labe të tyre”.

Teksa raportoi parimin mbi të cilën është kryer ndarja e re territoriale, Rama tha se Himara nuk ka asnjë dallim nga bashkitë e tjera të vendit dhe debati për të duhet konsideruar si një çështje e mbyllur.

Edi Rama: “Fakti se në Himarë jeton një pjesë e minoritetit grek, nuk nënkupton asnjë tjetër përveçse detyrimin për të respektuar liri dhe të drejta individuale dhe kaq. Çështja e Himarës nuk është çështje, përveçse nëse përdoret siç është përdorur, nënkupto keqpërdorur, për vite të tëra. Është ora për ta mbyllur përfundimisht këtë kapuitull duke nënëvizuar edhe njëherë tjetër që Himara është një nga 58 bashkitë e reja të ngritura mbi kriterin e zonës funksionale”.

Kryeministri Rama e quajti ndarjen e re territoriale një reformë historike që i jep fund arkaizmit dhe anarkisë urbane e financiare të vendit.

Edi Rama: “Kjo reformë garanton kalimin nga një Shqipëri arkaike, shërbimesh të falimentura për qytetarin dhe komunitetet, tek një Shqipëri që sot fillon të riorganizohet për tu bërë më tej hap pas hapi atdheu modern i shqiptarëve. Se ne vërtetë shkurtojmë 6 herë numrin e njësive vendore, por asnjë zyrë komunale që jep sot shërbimet e përditshme për komunitetetin nuk do mbyllet, përkundrazi, modernizimi i shërbimeve pranë çdo komuniteti përmes zyrave aktuale të komunave të sotme është pjesë e fazës së dytë të kësaj reforme”.

Kreu i qeverisë komentoi edhe protestat e zhvilluara në vend kundër hartës së re territoriale dhe bojkotin e opozitës në parlament.

Edi Rama: “Dy fjalë për opozitën e cila sot vazhdon të mungojë. Mendojnë që bojkoti funksionon dhe mendojnë se historia mund të përsëritet . Duke iu referuar asaj që ne u detyruam të bëjmë të imponuar nga rrethana dramatike, por thonë se kur historia përsëritet, përsëritet si komedi. Dhe kjo është një përsëritje komike e historisë, sepse opozita nuk ka kauzë, ka mbetur akoma tek shkulja e veshit”. 

TV KLAN